Kursi i këmbimit Euro-Lek ka regjistruar sot nivelin më të ulët historik, duke u këmbyer me 96.46 lekë, sipas Bankës së Shqipërisë. Rënia e kursit vijon këtë javë, një fenomen i nxitur edhe nga oferta e shtuar e valutës në treg gjatë festave dhe kthimi i emigrantëve në vend.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, Euro ka rënë me 2.1%. Ekspertët vënë në dukje se stabiliteti i kursit gjatë vitit 2025 i detyrohet ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë, e cila deri në fund të 9-mujorit ka blerë rreth 800 milionë euro, ndërsa vitin e kaluar 933 milionë euro.

Banka Qendrore planifikon të vazhdojë blerjet e valutës në vitin 2026, me synim rritjen e rezervës valutore, duke parashikuar ankande nga 330 deri 450 milionë euro. Sipas saj, ndërhyrjet nuk kanë për qëllim mbrojtjen e një niveli të caktuar të kursit, por frenimin e luhatjeve të shpejta në treg.

Një faktor tjetër që ka ndikuar në forcimin e Lekut këtë vit është politika fiskale shtrënguese e qeverisë, me suficit buxhetor për 10-mujorin 2025 prej rreth 49 miliardë lekësh. Megjithatë, shpenzimet e fundit të dhjetorit mund të sjellin një rritje të përkohshme të kursit të Euros.