Një stuhi e fuqishme dimërore goditi Kaliforninë të mërkurën, duke shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje toke, ndërsa autoritetet urdhëruan evakuime dhe shpallën gjendje të jashtëzakonshme në gjashtë qarqe.

Stuhia u intensifikua të martën në mbrëmje dhe arriti kulmin në prag të Krishtlindjeve. Departamenti i Zjarrfikësve të Los Anxhelosit tha se një burrë i bllokuar në një tub kullues pranë një lumi në veriperëndim të qytetit u shpëtua. Nuk u raportuan lëndime, por burri po trajtohej nga mjekët.

Në të njëjtën kohë, disa rrugë në të gjithë zonën metropolitane u mbyllën për shkak të përmbytjeve, ndërsa pemë të rrëzuara dhe ndërprerje të energjisë u regjistruan në disa vende për shkak të erërave të forta.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, shpalli gjendje të jashtëzakonshme për qarqet Los Anxhelos, Orange, Riverside, San Bernardino, San Diego dhe Shasta për të aktivizuar mekanizmat e mbrojtjes civile dhe për të avancuar burimet dhe personelin.

Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi se “lumenj atmosferikë” të njëpasnjëshëm – breza të ngushtë por jashtëzakonisht të lagësht avujsh uji që lëvizin nga Paqësori – do të përshkojnë shtetin, duke rritur rrezikun e përmbytjeve të menjëhershme dhe rrëshqitjeve të dheut gjatë një prej stinëve më të ngarkuara të vitit.