Një gjykatë në Rusi dënoi të enjten me gjashtë vjet burg Sergei Udaltsovin, një kritik i njohur i presidentit Vladimir Putin, nën akuzën për terrorizëm, raportoi “The Guardian”.
Udaltsov është udhëheqës i lëvizjes opozitare Fronti i Majtë, e cila kundërshton Kremlinin dhe konsiderohet e afërt me Partinë Komuniste. Ai u arrestua vitin e kaluar. Sipas portalit rus të lajmeve Mediazona, akuzat ndaj Udaltsovit lidhen me një artikull që ai kishte publikuar në internet, në të cilin shprehte mbështetje për një grup aktivistësh rusë të akuzuar për formimin e një organizate terroriste. Anëtarët e këtij grupi u dënuan këtë muaj me dënime që variojnë nga 16 deri në 22 vjet burgim.
Udaltsov i ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke i cilësuar ato si të sajuara dhe me motive politike. Pas shpalljes së vendimit, ai e quajti dënimin “të turpshëm” dhe njoftoi se do të nisë një grevë urie në shenjë proteste.





