Mario Mitaj mund të ndryshojë skuadër që në merkaton e janarit. Mediet në Arabinë Saudite raportojnë se Al Ittihad ka vendosur të nxjerrë në shitje mbrojtësin e majtë shqiptar, duke hapur kështu rrugën për një transferim të parakohshëm.Sipas të njëjtave burime, largimi i Mitajt lidhet edhe me lëvizjet e klubit në merkato, pasi drejtuesit po punojnë për të mbyllur marrëveshjen me Nuno Tavares. Mbrojtësi i majtë i Lazios është i gatshëm të transferohet në kampionatin saudit, çka do ta bënte të tepërt qëndrimin e Mitajt në skuadër.

Për 22-vjeçarin nuk pritet merkatoja e verës, pasi vendimi për largimin e tij është marrë tashmë nga drejtuesit e klubit. Ende mbetet e paqartë shuma që Al Ittihad kërkon për kartonin e mbrojtësit, por kontrata e Mitajt deri në vitin 2028 i jep klubit një pozicion të fortë negociues. Al Ittihad investoi rreth 5 milionë euro për huazimin dhe më pas blerjen e Mitajt nga Lokomotiva e Moskës, çka lë të kuptohet se pretendimet financiare për transferimin e tij nuk do të jenë të ulëta.