Kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka ngritur alarmin për rrezikun që paraqet AKSHI për sigurinë e të dhënave personale dhe pronat e qytetarëve.
Ai deklaroi se AKSHI ka në dorë çdo informacion jetik – nga pronësia, shëndeti, biometriket, lëvizjet, gjobat, deri te llogaritë bankare – dhe se SPAK ka zbuluar se agjencia kontrollohet nga banda kriminale.
Sipas Shehajt, përmes AKSHI-t janë kryer ndryshime të paligjshme në Kadastrën Shtetërore, duke rrezikuar pronat dhe sigurinë juridike të qytetarëve. Ai kritikoi qeverinë për mosveprim dhe mbajtjen në detyrë të drejtoreshës së AKSHI-t, edhe pse nën arrest shtëpie.
Shehaj paralajmëroi qytetarët të jenë vigjilentë: “Sot janë pronat, nesër të dhënat biometrike. Jemi të gjithë pengje të bandave!”





