Pas protestave të qytetarëve për mungesën e ujit të pijshëm, defekti në tubacionin kryesor të furnizimit në Vlorë është riparuar pas mesnate.

Rregullimi i tubit u përfundua rreth orës 4:00 të mëngjesit, moment kur nisi edhe furnizimi i depove të qytetit.

Aktualisht, një pjesë e qytetit të Vlorës po furnizohet me ujë, ndërsa zonat e tjera pritet të marrin furnizim gradualisht gjatë orëve në vijim.

Megjithatë, furnizimi nuk po realizohet me kapacitet të plotë, pasi pajisja e re e montuar po i nënshtrohet fazës së testimit për të garantuar funksionimin e sigurt dhe të qëndrueshëm të sistemit.