Meteorologu Hakil Osmani dha detaje në lidhje me situatën e motit gjatë fundjavës. Osmani tha në një lidhje live me Klan News se në vijim, moti pritet që të mbizotërohet nga vranësirat. Ai tha se sidomos të shtunën e të dielën, do të ketë reshje bore në veri-lindje kryesisht, në Kukës, Peshkopi dhe Bajram Curri, si dhe në jug-lindje.

Ndërsa, pjesa perëndimore pritet që të dominohet nga reshjet e shiut. Sipas tij, pritet që temperaturat e ajrit të rriten, por gjithashtu edhe era të jetë e fortë në bregdet, duke pezulluar lundrimet e varkave të vogla.

“Ditën e premte do të kemi vranësira në veri, duke nisur edhe reshje të dëborës. Në orët vijuese, vranësirat të pësojnë zhvillime, duke pasur shi në Ultësirën Perëndimore dhe dëborë në pjesën lindore të territorit shqiptar. Gradualisht do kemi edhe rritje të temperaturave të ajrit. Edhe fundjava do të vijojë me vranësira të dendura. Në zonat malore, të shtunën dhe të dielën do kemi bore, ku më shumë do kemi në Kukës, Peshkopi e Bajram Curri, ndërsa më të pakta do jenë në Korçë e Ersekë. Reshjet do jenë më të dukshme do të jenë të dielën, ku mund të ketë edhe rrebeshe. Kemi edhe erë të fortë, që mund të pezullojë lundrimin detar, sidomos për anijet e vogla”, tha meteorologu Hakil Osmani.