Publikohet momenti kur fishekzjarrët e vendosur në shishet e shampanjës shkaktuan një zjarr masiv në një bar skish në Zvicër, duke vrarë të paktën 47 persona dhe duke plagosur 115 të tjerë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 01:30 të mëngjesit me orën lokale (00:30 GMT) në bodrumin e “Le Constellation”, një lokal i njohur që ndodhet në qendër të qytetit alpin të Crans-Montana.

Sipas raportimeve, flakët u përhapën me shpejtësi në të gjithë ambientin, duke e përfshirë lokalin në një zjarr të fuqishëm që u kthye në tragjedi për dhjetëra persona që ndodheshin brenda. Pamjet dhe dëshmitë flasin për skena kaosi, ndërsa shumë klientë mbetën të bllokuar nga zjarri që shpërtheu në bodrum, raporton “Daily Mail“.

Mësohet se pronarët e klubit të natës janë një çift francez, të njohur në industrinë zvicerane të mikpritjes: Jacques Moretti, 49 vjeç, dhe bashkëshortja e tij Jessica, 40 vjeçe, me origjinë nga ishulli francez i Korsikës. Tani ata po përballen me një sërë pyetjesh se si flakët u përhapën kaq shpejt dhe si lokali u shndërrua në një kurth vdekjeprurës për klientët.

Lokali, i cili përfshinte një tarracë në katin e sipërm dhe një klub nate në bodrum, me DJ dhe muzikë live, ishte shndërruar në një nga destinacionet më të njohura të jetës së natës në Crans-Montana. Klientela përbëhej kryesisht nga të rinj të apasionuar pas sporteve dimërore, si dhe vendas.

Në faqen zyrtare të Crans-Montana, lokali përshkruhej si një “hapësirë elegante” me një “atmosferë festive”, ndërsa online cilësohej shpesh si “vendi ideal” për argëtim, i frekuentuar nga një publik ndërkombëtar.

Mësohet gjithashtu se lokali ishte një nga të paktët në resortin e skive që lejoi hyrjen e personave mbi 16 vjeç, ndryshe nga shumica e ambienteve të tjera ku mosha minimale ishte 18 vjeç.