Robert Levandovski po mendon të ardhmen e tij pas Barcelonës. Sulmuesi polak është në muajt e fundit të kontratës dhe është e qartë se nuk do të vazhdojë të jetë më pjesë e katalanasve pas këtij editonim, pasi ata kërkojnë futbollistë më të rinj në moshë.

Megjithatë, sulmuesi ka filluar që tani bisedimet me klube të ndryshme dhe nuk përjashtohet mundësia që kjo lëvizje të ndodhë edhe gjatë merkatos së janarit. Mediat gjermane kanë zbuluar se menaxheri i tij, Pini Zahavi, ka pasur kontakte direkte me klube të interesuara për polakun.

Çikago Fajër, klubi i MLS, ka shfaqur interes konkret dhe në ditët e kaluara është takuar me Zahavin për të shqyrtuar mundësinë e transferimit të Levas përtej Atlantikut.

Ndërkohë, ka edhe shumë klube në Arabinë Saudite që kanë shfaqur interes për të dhe do të dëshironin golashënuesin polak që në ditët e para të janarit. Mbetet të mësohet se sa të gatshme janë këto klube të paguajnë diçka në arkat e Barcelonës dhe nëse vetë 37-vjeçari Levandovski synon të mbyllë menjëherë aventurën te katalanasit apo të presë përfundimin e kontratës e të largohet si futbollist i lirë në verë.