Barazimi pa gola mes Sandërlend dhe Mançester Sitit duket se është përjetuar si humbje në radhët e e “qytetarëve”, pasi dukshëm lojtarët ishin të pakënaqur dhe të nervozuar në fund të sfidës. Kjo u pa qartë me reagimin e Xhanluixhi Donarumës, i cili iu vërsul një kundërshtari i gatshëm për sherr me të. Portieri italian ishte bërë objekt talljesh pas vërshëllimës përfundimtare nga tifozët vendas, edhe pse duhet theksuar se gjatë ndeshjes ai ndaloi disa raste të rrezikshme nga lojtarët e Sandërlendit.
Por me sa duket portieri u nervozua nga thumbimet e futbollistit Luk O’Nien në radhët e vendasve dhe iu vërsul menjëherë atij ndërsa skuadrat po takoheshin në mesin e fushës. U desh ndërhyrja e shokëve të skuadrës dhe sidomos e trajnerit Pep Guardiola që situata të qetësohej dhe dy lojtarët të ndaheshin, me portierin italian i cili shkoi i nervozuar drejt dhomave të zhveshjeve.





