Sirena të alarmit ajror dhe shpërthime u dëgjuan në orët e para të mëngjesit të së shtunës në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas.

Sipas informacioneve paraprake, një nga objektet e goditura është Fortesa Tiuna, e vendosur në pjesën jugore të qytetit.

Ajo përbën kompleksin kryesor ushtarak të Venezuelës dhe strehon, mes të tjerash, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Akademinë Ushtarake. Si pasojë e bombardimeve, është raportuar edhe ndërprerje e energjisë elektrike në zonë.

Shpërthimi i parë u regjistrua rreth orës 01:50 të mëngjesit, sipas orës lokale. “Një nga shpërthimet ishte aq i fuqishëm, saqë dritarja ime u drodh pas tij”, deklaroi një korrespondente e CNN.

Pamje të tjera që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë helikopterë ushtarakë duke fluturuar mbi Karakas, ndërsa deri më tani nuk ka asnjë reagim zyrtar nga autoritetet amerikane apo ato venezueliane.

Gjatë periudhës së fundit, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kishte lënë të hapur mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake kundër Karakasit, lidhur me çështjen e trafikut të drogës. Në tetor, Trump kishte deklaruar se kishte autorizuar CIA-n të vepronte brenda Venezuelës për të frenuar flukset e paligjshme të emigrantëve dhe narkotikëve nga vendi i Amerikës Latine.

Nga ana e tij, presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro, i ka hedhur poshtë akuzat e Trump se qeveria e tij mbështet tregtinë globale të drogës. Në një intervistë për mediat shtetërore këtë javë, Maduro akuzoi Shtëpinë e Bardhë se po shpik një justifikim për të sulmuar Venezuelën, duke shtuar se vendi i tij është i gatshëm të bashkëpunojë me partnerët amerikanë në luftën kundër trafikut të drogës.

Ndërkohë, Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkuara njoftoi se ka pezulluar kërkimet për të mbijetuar në det, pas një sulmi ushtarak amerikan të kryer më herët gjatë javës kundër një kolone anijesh të dyshuara për kontrabandë droge në Oqeanin Paqësor.

“Shtetet e Bashkuara koordinuan mbi 65 orë operacione kërkimi, të cilat mbuluan më shumë se 1.090 milje detare në kushte të favorshme shikueshmërie, pa u gjetur të mbijetuar apo mbetje,” thuhet në deklaratë.

Të mërkurën, Komanda Jugore e Ushtrisë Amerikane kishte njoftuar se pesë persona u vranë gjatë një sulmi ndaj dy anijeve, pa bërë të ditur vendndodhjen e saktë të operacionit.