Koreja e Veriut lëshoi sot disa raketa balistike drejt Detit Lindor, i njohur gjithashtu si Deti i Japonisë, raportoi agjencia jugkoreane e lajmeve Yonhap, duke cituar burime ushtarake në Seul.
Lëshimi i raketave rrit sërish tensionet në rajon, në fillim të vitit 2026.
Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Koresë së Jugut (JCS), sistemet e vëzhgimit zbuluan disa lëshime raketash nga territori i Koresë së Veriut. Ushtria jugkoreane bëri të ditur se po monitoron nga afër situatën dhe po analizon të dhënat teknike të raketave.
“Ushtria jonë ruan një gjendje të fortë gatishmërie, ndërsa ndan ngushtë informacionin mbi raketat balistike të Koresë së Veriut me Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë, në kuadër të një mbikëqyrjeje të shtuar për lëshime të tjera të mundshme”, tha JCS-ja në një deklaratë zyrtare.
Sipas ushtrisë së Koresë së Jugut, raketat fluturuan rreth 900 kilometra përpara se të binin në det. Nuk u raportua për dëme apo kërcënime të drejtpërdrejta ndaj territorit të vendeve fqinje.
Edhe Japonia konfirmoi aktivitetin raketor. Agjencia japoneze Kyodo, duke cituar Rojat Bregdetare të Japonisë, raportoi se dy raketa të dyshuara balistike ishin lëshuar nga Koreja e Veriut dhe kishin rënë në Detin e Japonisë.
Yonhap kujtoi se Pheniani herën e fundit kishte lëshuar një raketë balistike drejt Detit Lindor në muajin nëntor.
Sipas rezolutave të Kombeve të Bashkuara, Koreja e Veriut e ka të ndaluar të lëshojë apo edhe të testojë raketa balistike të çdo rrezeje veprimi, pasi këto sisteme mund të pajisen edhe me koka bërthamore.





