Rusia ka kryer më shumë se 2 000 sulme ajrore ndaj Ukrainës gjatë javës së Vitit të Ri, deklaroi sot presidenti Volodymyr Zelensky, duke u bërë thirrje aleatëve të ofrojnë më shumë mbështetje për vendin e tij.

“Stabiliteti dhe parashikueshmëria e ndihmës për Ukrainën janë ato që realisht mund ta shtyjnë Moskën drejt diplomacisë. Ne po llogarisim në ndihmë të mëtejshme mbrojtëse”, shkroi Zelensky në Telegram.

“Gjatë javës së kaluar, Rusia ka përdorur më shumë se 1 070 bomba gati 1 000 dronë dhe gjashtë raketa kundër Ukrainës”, tha ai.

Në një video-mesazh, Zelensky kujtoi gjithashtu një sulm ndaj qytetit lindor të Kharkivit më 2 janar, i cili shkaktoi shumë viktima.

Numri i të vdekurve të nxjerrë sot nga rrënojat e një ndërtese të goditur u rrit në katër, sipas autoriteteve, ndërsa mbi 30 persona u plagosën.

Përsa i përket negociatave ndërkombëtare në vijim, Zelensky shprehu sërish “shpresën për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Ukraina”, theksoi ai, por duhet garanci për siguri nga Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe partnerët e saj në “koalicionin e të gatshmëve”.

Të shtunën, këshilltarë të sigurisë kombëtare dhe përfaqësues të BE-së dhe NATO-s u takuan në Kiev për të vijuar diskutimet mbi këto garanci.

Zyrtarë të vendeve perëndimore që mbështesin procesin e paqes pritet të mblidhen  të martën në Paris për të diskutuar rezultatet e bisedimeve të fundit.

Zelensky po kërkon garanci të forta sigurie nga SHBA-ja dhe vendet evropiane për të mbrojtur Ukrainën nga sulme të ardhshme ruse pas përfundimit të luftës, e cila nisi gati katër vjet më parë.

Kjo, sipas tij, nënkupton qartë se të paktën trupa franceze dhe britanike do të dislokoheshin në Ukrainë “në çdo rast”.

Rusia, e cila nuk është e përfshirë drejtpërdrejt në bisedime, ka paralajmëruar vazhdimisht kundër vendosjes së trupave nga vendet e NATO-s në Ukrainë.