Shërbimet e Policisë Rrugore dhe ato të Rendit në Policinë e Shtetit janë në gatishmëri të përforcuar që prej ditës së djeshme për shkak të situatës së vështirë të krijuar nga reshjet e dendura.
Në mesditën e sotme, situata në akset rrugore nacionale ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm.
Megjithatë, zonat e prekura nga rrëshqitjet e dheut, ose ku ka prani uji, monitorohen vazhdimisht nga shërbimet policore.
Policia e Shtetit apelon për drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar, të reduktojnë shpejtësinë për shkak të lagështisë në rrugë dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë drejt zonave malore ku ka prezencë dëbore.
Drejtuesit e mjeteve duhet të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e policisë për të garantuar sigurinë e tyre dhe të qytetarëve të tjerë.





