Departamenti amerikan i Shtetit ka lëshuar një paralajmërim urgjent për qytetarët amerikanë që ndodhen në Iran, duke i ftuar të “largohen menjëherë” nga vendi.
Thirrja vjen si pasojë e përshkallëzimit të protestave në mbarë Iranin, rritjes së dhunës dhe bllokimit të aksesit në internet.
Njoftimi u publikua të hënën, në një kohë kur Irani po hyn në javën e tretë të protestave antiqeveritare. Sipas grupeve për të drejtat e njeriut dhe raportimeve mediatike, situata ka sjellë qindra viktima dhe mijëra persona të arrestuar.
Autoritetet amerikane kanë theksuar se kushtet e sigurisë janë përkeqësuar ndjeshëm dhe se qytetarët e SHBA-së përballen me rreziqe serioze, përfshirë vështirësi në komunikim dhe lëvizje për shkak të kufizimeve të vendosura nga autoritetet iraniane.





