Forcat speciale britanike po përgatiten për operacione të synuara kundër anijeve të ashtuquajtura të “flotës hije” ruse, të cilat transportojnë naftë duke anashkaluar sanksionet ndërkombëtare, raporton gazeta The Times.
Në qendër të planeve ndodhet Shërbimi Special i Anijeve (SBS), i cili sipas raportimeve është ngarkuar me kryerjen e operacioneve komando për kapjen e cisternave që transportojnë në mënyrë të paligjshme naftë ruse.
Operacione komando në det
Ushtarë elitarë, të trajnuar për t’u futur në anije duke zbritur nga helikopterët dhe për të neutralizuar ekuipazhet, mund të godasin qindra cisterna të paligjshme, pasi qeveria britanike ka identifikuar një bazë të re ligjore për këto ndërhyrje.
Një burim nga sektori i mbrojtjes konfirmoi se po shqyrtohen opsione për konfiskime në det, duke deklaruar:
“Nëse dëshiron të rrisësh presionin ekonomik ndaj Rusisë, pamja e njësive operacionale që zbresin me shpejtësi mbi cisterna të paligjshme është mënyra më efektive”.
Baza ligjore për konfiskimet
Sipas ligjit britanik për sanksionet dhe pastrimin e parave, autoritetet besojnë se mund të autorizojnë bastisje ndaj anijeve që nuk janë të regjistruara ligjërisht në asnjë shtet, që mbajnë flamuj të rremë ose janë braktisur nga shteti, flamurin e të cilit pretendojnë se mbajnë.
Në bazë të së drejtës ndërkombëtare detare, këto anije nuk gëzojnë mbrojtjen që ofron regjistrimi shtetëror, duke u bërë kështu të cenueshme ndaj konfiskimit.
Dhjetëra anije me flamuj të rremë
Një analizë e The Times tregon se të paktën 107 anije të përfshira në sanksione britanike lundrojnë me flamuj të rremë, ndërsa 245 të tjera operojnë me dokumentacion të dyshimtë. Një shembull është anija White Condor, e cila kaloi Kanalin e La Manshit të hënën duke mbajtur flamurin e Arubës, ndonëse ky territor nuk ka asnjë regjistër anijesh.
Operacione sekrete dhe precedentë
Operacionet e forcave speciale britanike, me bazë në Dorset, janë tepër sekrete. Njësia elitare besohet se ishte pas një operacioni në vitin 2020, kur një cisternë u kap pas devijimit të saj drejt Ishullit të Wight. Sipas The Times, në atë mision morën pjesë katër helikopterë ushtarakë dhe rreth 40 efektivë. Të mbështetur nga snajperë ajrorë, rreth 16 pjesëtarë të SBS hynë në anije dhe arrestuan shtatë shtetas nigerianë brenda vetëm nëntë minutash.
Bashkëpunim me SHBA-në dhe NATO-n
Ministri britanik i Mbrojtjes, John Healey, u zotua javën e kaluar se do të goditet rrjeti i paligjshëm i cisternave, pasi forcat britanike ndihmuan marinën amerikane në marrjen nën kontroll të cisternës Marinera.
Sipas raportimeve, avionë zbulues britanikë dhe anije mbështetëse u dislokuan për të kryer vëzhgim dhe për të ofruar ndihmë, ndërsa forcat amerikane zbarkuan nga helikopterët dhe morën kontrollin e anijes.
Burime të tjera thanë për The Times se çdo operacion i ardhshëm ndaj anijeve ruse me përfshirjen e forcave speciale britanike ka shumë gjasa të jetë një mision i përbashkët, me pjesëmarrjen e anijeve të Marinës Mbretërore, avionëve zbulues të Forcave Ajrore Mbretërore dhe bashkëpunim të mundshëm me aleatë skandinavë të NATO-s.
“Operacioni do të ishte jashtëzakonisht kompleks”, tha burimi, duke shtuar: “Në gjithë Europën ekziston një dëshirë më e madhe për të bërë më shumë. Mbretëria e Bashkuar mund të kontribuojë në operacionet e vendeve të tjera europiane ose të veprojë së bashku me to. Edhe amerikanët na kanë kërkuar mbështetje”.





