Franca ka shënuar një kthesë historike në bilancin e popullsisë. Për herë të parë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, vendi ka regjistruar më shumë vdekje se lindje gjatë vitit 2025, duke sinjalizuar një alarm serioz për të ardhmen demografike të ekonomisë së dytë më të madhe të Bashkimit Europian.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Statistikave (INSEE), në vitin e kaluar u regjistruan rreth 651 mijë vdekje, ndërsa në vend erdhën në jetë 645 mijë fëmijë – një diferencë e vogël, por simbolike që shënon fundin e epokës së rritjes natyrore të popullsisë në Francë.

INSEE thekson se numri i lindjeve ka ardhur duke u ulur prej vitesh, sidomos pas pandemisë COVID-19, ndërsa popullsia e plakur dhe jetëgjatësia më e lartë po sjellin rritje të numrit të vdekjeve.

Historikisht, Franca ka qenë ndër vendet më të qëndrueshme demografikisht në Europë, shpesh më e fortë se Italia, Spanja dhe Gjermania falë normave më të larta të lindshmërisë.