Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Këlcyrë, ku një 30-vjeçare dyshohet se është dhunuar nga vëllai dhe xhaxhai i saj, pas një konflikti familjar që ka nisur për shkak të kërkesës së saj për t’u divorcuar nga bashkëshorti.

Vendimi i 30-vjeçares për të kërkuar ndarjen nuk është pranuar nga familjarët e saj, çka ka çuar në debate të ashpra dhe përshkallëzim të situatës.

Mësohet se pas konfliktit verbal, familjarët e saj e kanë marrë forcërisht 30-vjeçaren me automjet dhe e kanë dërguar në banesën e xhaxhait të saj. Në këtë ambient dyshohet se ajo është dhunuar fizikisht nga vëllai dhe xhaxhai, duke përjetuar një situatë të rëndë dhune brenda familjes.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit A. A., 34 vjeç, S. A., 53 vjeç dhe E. M., 51 vjeç, të tre banues në Tiranë, si dhe për shtetasin L. L., 43 vjeç, banues në Këlcyrë. Nga veprimet hetimore dyshohet se, si pasojë e një konflikti familjar, shtetasit A. A., S. A. dhe E. M. kanë marrë me forcë në automjet 30-vjeçaren, motra e 34-vjeçarit dhe njëkohësisht mbesa e 53-vjeçarit. Më tej, dyshohet se ajo është dhunuar nga vëllai dhe xhaxhai i saj në banesën e këtij të fundit. Gjithashtu, dyshohet se shtetasi L. L. ka pasur dijeni për ngjarjen dhe nuk e ka kallëzuar atë në polici”, njoftojnë uniformat blu.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve dhe për përcaktimin e përgjegjësive ligjore të personave të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë.