Franca ka regjistruar për herë të parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore më shumë vdekje sesa lindje në vitin 2025, një zhvillim që dobëson avantazhin demografik që vendi ka pasur tradicionalisht mbi shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian, sipas të dhënave zyrtare të publikuara të martën.
Instituti Kombëtar i Statistikave (INSEE) njoftoi se vitin e kaluar u regjistruan 651 mijë vdekje dhe 645 mijë lindje, me një rënie të ndjeshme të lindshmërisë që nga pandemia e COVID-19.
Franca ka pasur historikisht statistika demografike më të forta se pjesa më e madhe e Evropës, por një popullsi në plakje dhe normat e ulëta të lindshmërisë tregojnë se vendi po përballet me një krizë demografike që mund të rëndojë financat publike në kontinent.
INSEE njoftoi se norma e fertilitetit ka rënë në 1.56 fëmijë për grua vitin e kaluar, niveli më i ulët që nga Lufta e Parë Botërore. Për krahasim, në vitin 2023 Franca renditej e dyta në BE me një normë fertiliteti prej 1.65, pas Bullgarisë me 1.81.
Ndryshimet demografike pritet të rrisin sërish shpenzimet publike në nivele të ngjashme me ato të pandemisë, ndërsa do të dobësojnë bazën tatimore, sipas zyrës kombëtare të auditimit publik.
“Duke marrë parasysh pensionimin e brezave të mëdhenj të lindur në vitet 1960, tensionet në tregun e punës dhe mungesën e fuqisë punëtore pritet të rriten shpejt në vitet e ardhshme”, tha ekonomisti Philippe Crevel nga “Cercle d’Épargne”.
Megjithatë, edhe pse vdekjet tejkaluan lindjet, popullsia e Francës u rrit pak vitin e kaluar, duke arritur në 69.1 milionë banorë, falë migracionit neto, të cilin INSEE e vlerësoi në 176 mijë njerëz.





