Qarku i Elbasanit është përfshirë nga kushte të motit të ftohtë, me temperatura të ulëta që në zonat malore kanë zbritur nga -5 deri në -11 gradë Celsius.

Pavarësisht këtyre vlerave të ulëta termike, situata paraqitet e qëndrueshme dhe pa problematika madhore.

Në akset rrugore nacionale dhe rurale, qarkullimi i mjeteve vijon normalisht, pa bllokime apo vështirësi të evidentuara, falë monitorimit dhe ndërhyrjeve të vazhdueshme nga strukturat përgjegjëse.

Sa i përket situatës hidrologjike, prurjet e lumit Shkumbin dhe përroit të Zaranikës janë në rënie, duke mos paraqitur asnjë rrezik për përmbytje apo problematika për zonat përreth.

Ndërkohë, janë raportuar disa ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në Njësinë Administrative Labinot Mal, në bashkinë Elbasan, si dhe në Njësinë Administrative Qendër, në bashkinë Librazhd. Grupet e punës janë në ndjekje të situatës për rikthimin e energjisë në kohën më të shpejtë të mundshme.

Gjithashtu, bëhet me dije se në orën 09:00 do të ndërpriten shkarkimet në HEC Banjë, një veprim i planifikuar që po monitorohet nga strukturat përkatëse për të shmangur çdo ndikim të mundshëm në zonat poshtë digës.

Autoritetet lokale vijojnë monitorimin e situatës në terren dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, veçanërisht në zonat malore dhe gjatë lëvizjeve në orët e para të mëngjesit, kur temperaturat mbeten në vlera të ulëta.