Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr.277/1/1 datë 02.07.2025 në ngarkim të të pandehurve:

Arnold Rrokaj i hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg” dhe i akuzuar për veprat penale “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”, paragrafi i dytë dhe “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit atë grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 192/b paragrafi 2, 293/a paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal;
Zambak Gjoni i hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg” dhe i akuzuar për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 293/a paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal;

Agim Ismaili i hetuar në gjendje të lirë dhe i akuzuar për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 293/a paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal;

I pandehuri Arnold Rrokaj, aksesoi në mënyrë të paautorizuar materiale hetimore të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, një pjesë e të cilave u dërguan në mënyrë të paligjshme tek të pandehurit, Zambak Gjoni dhe Agim Ismaili, të cilët i shperndajnë ato më pas tek persona të tretë.

Shtetasit Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj u identifikuan në një kohë të shpejtë (brenda 24 orësh) dhe u arrestuan menjëherë duke parandaluar kështu dhe shpërndarjen e mëtejshme të materialeve hetimore.

Si rezultat i veprimeve te shumta hetimore dhe analizimit te tyre, akuzat u zgjeruan dhe për veprën penale të përgjimit të paligjshëm të të dhënave kompjuterike në ngarkim të shtetasit, Agim Ismaili, i cili pasi u njoh me përmbajtjen e këtyre të dhënave, i shpërndau ato më tej, por edhe kërkoi në mënyrë të vetëdijshme thellimin e përgjimit të paligjshëm të sistemeve të Prokurorisë së Posaçme, duke kërkuar gjetjen e të dhënave për persona të ndryshëm.