Nga Dr. Bledar Kurti*

Ftesa për Kryeministrin Edi Rama e datës 16 janar 2026, për të qenë pjesë e Board of Peace, nën drejtimin e Presidentit amerikan Donald J. Trump, është një moment historik për Shqipërinë. Në një vend të vogël, ku politika e jashtme shpesh konsumohet si politikë e brendshme, një zhvillim i tillë meriton më shumë se entuziazëm ose rëndësi mediatike: meriton analizë politike, diplomatike dhe ekonomike.

Në thelb, kjo ftesë sinjalizon një mesazh tejet të rëndësishëm: Shqipëria vazhdon të shihet nga SHBA si një aleat i besueshëm dhe i rreshtuar qartë në kampin euro-atlantik. Në një botë gjithnjë e më të fragmentuar, ku edhe aleancat tradicionale po vihen në provë, ky është një kapital diplomatik që nuk duhet nënvlerësuar përkundrazi duhet duartrokitur nga të gjitha palët sepse është dëshmi e marrëdhënieve të forta SHBA-Shqipëri.

Por pyetja kryesore përtej faktit se ftesa është tejet pozitive për vendin tonë, pyetja që duhet shtruar e analizuar është: çfarë peshe reale ka ajo për Shqipërinë?

Nga njëra anë, përfshirja e Kryeministrit shqiptar në një forum që synon paqen dhe stabilitetin global, veçanërisht në zona konflikti si Lindja e Mesme, e vendos Shqipërinë në një tryezë ku tradicionalisht nuk ka qenë asnjëherë e pranishme. Kjo rrit profilin e vendit tonë dhe i jep mundësi Shqipërisë ta projektojë veten si një aktor konstruktiv, edhe pse një vend i vogël.

Por diplomacia moderne nuk është vetëm politikë dhe siguri. Ajo është gjithnjë e më shumë ekonomi. Në këtë prizëm, çdo rol në struktura ndërkombëtare paqeje shoqërohet potencialisht me interesa financiare, rindërtim, investime, kontrata dhe akses në rrjete vendimmarrëse.
Nëse Board of Peace do të ketë rol në rindërtimin e zonave post-konfliktuale, në administrimin e fondeve ndërkombëtare apo në koordinimin e investimeve strategjike, atëherë përfshirja e Shqipërisë mund të krijojë mundësi ekonomike indirekte: për kompanitë shqiptare, për sektorin e shërbimeve, për ndërtimin, për ekspertizën ligjore apo edhe për pozicionimin e vendit si ndërmjetës rajonal. Këto mund të mos jenë përfitime automatike, por janë dritare që hapen vetëm për ata që janë në tryezë. Dhe Shqipëria do jetë e ulur në këtë tryezë.

Edhe dimensioni i politikës së brendshme nuk mund të injorohet. Për qeverinë, ftesa është një argument për sukses diplomatik dhe për marrëdhënie të forta me SHBA-të. Për opozitën, ajo është një shembull tjetër i diplomacisë së marketingut. Në këtë përplasje narrativesh, interesat politike apo partiake duhen kapërcyer në të mirë të vendit sepse kjo ftesë, padyshim përkthehet në interes konkret kombëtar duke e ulur Shqipërinë në tryezën më të rëndësishme të Lindjes së Mesme me aktorë global.

Ajo që do ta bëjë edhe më tej diferencën nuk është vetëm ftesa, por çfarë do bëjë Shqipëria me të. Duke konsideruar drejtimin e deritanishëm dhe konkretizimin e qartë e të shpejtë të politikave dhe ideve të Presidentit Trump, ftesa dhe takimet e bordit do të shoqërohen me iniciativa konkrete, me diplomaci ekonomike aktive dhe me një strategji se si vendi ynë do të përfitojë nga rrjetet politike dhe financiare që krijohen rreth proceseve të paqes, duke patur të bëjmë me një sukses real, përtej një episodi të bukur retorik, që konsumohet shpejt në ciklin e lajmeve.

Për një vend të vogël si Shqipëria, pjesëmarrje, në Board of Peace me drejtues vetë Presidentin Trump dhe me anëtarë ndër të cilët përmenden emrat më të rëndësishëm në botën e sotme, kjo është një mundësi historike. Dhe si e tillë i ofron Shqipërisë një vend ekskluziv në histori-bërje.

Uashingtoni e bëri hapin dhe e shprehu vlerësimin për Shqipërinë, e që në këtë moment, edhe pa u mbledhur ende Bordi i Paqes, Shqipëria ka ngjitur shkallë të paimagjinueshme në diplomacinë globale dhe është faktorizuar në arenën kombëtare, por në lidhje me përfitime të mëtejshme, si ato ekonomike apo me interesin më të gjerë kombëtar nga tani e tutje do varet nga mënyra se si Tirana zgjedh ta shfrytëzojë këtë moment të paprecedent historik.

*Alumni i Departamentit Amerikan të Shtetit