Presidenti i SHBA, Donald Trump tha se nuk ndihet më “i detyruar të mendojë ekskluzivisht për paqen” në një letër drejtuar kryeministrit norvegjez Jonas Gahr Store mes tensioneve në rritje me Evropën për shkak të Groenlandës. Letra, drejtuar Store, iu dërgua disa ambasadorëve evropianë në Uashington nga stafi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
“I dashur Jonas – Meqenëse vendi juaj ka vendosur të mos më japë Çmimin Nobel për Paqen për ndalimin e 8+ luftërave, nuk ndihem më i detyruar të mendoj ekskluzivisht për paqen, megjithëse ajo do të jetë gjithmonë parësore, por tani mund të mendoj për atë që është e mirë dhe e drejtë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”, ka shkruar Trump.
Sipas tij, Danimarka nuk mund ta mbrojë ishullin nga Rusia apo Kina.
“Danimarka nuk mund ta mbrojë këtë tokë nga Rusia apo Kina, dhe pse ka një ‘të drejtë pronësie’ gjithsesi? Nuk ka dokumente të shkruara, vetëm se një anije u ngec atje qindra vjet më parë, por kemi pasur edhe anije të ngecura atje. Unë kam bërë më shumë për NATO-n se kushdo tjetër që nga themelimi i saj, dhe tani NATO duhet të bëjë diçka për Shtetet e Bashkuara. Bota nuk është e sigurt nëse nuk kemi kontroll të plotë dhe total të Groenlandës.”
Letra e Trump vjen vetëm disa ditë pasi kryeministri norvegjez tha se “kërcënimet nuk kanë vend” midis aleatëve, në përgjigje të njoftimit të tarifave të presidentit amerikan.
“Qëndrimi i Norvegjisë është i vendosur: Groenlanda është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës. Norvegjia mbështet plotësisht sovranitetin e Mbretërisë së Danimarkës. Ekziston një marrëveshje e gjerë në NATO mbi nevojën për të forcuar sigurinë në Arktik, përfshirë Groenlandën.”, shkroi Store të shtunën.
Norvegjia është një nga tetë vendet e prekura nga tarifat prej 10% të presidentit amerikan, krahas Danimarkës, Suedisë, Francës, Gjermanisë, Finlandës, Holandës dhe Mbretërisë e Bashkuar. Masat hyjnë në fuqi nga 1 shkurti. Taksa do të rritet në 25% më 1 qershor nëse nuk arrihet një marrëveshje për Groenlandën.





