Në Gjykatën e Qarkut të Këlnit po trajtohet një rast ndëshkimi sadist në botën e drogës. Mediat gjermane shkruajnë se, një shqiptar i preu gishtat e këmbës anëtarit të bandes që merrej me tregtinë e kokainës, pasi kishte humbur një telefon celular me të dhëna të ndjeshme të klientëve.

Si ndëshkim, në një apartament në lagjen Kalk, atij i janë prerë dy gishtërinj të këmbës me një pincë. Për më shumë se një javë, personi është mbajtur peng dhe është torturuar.

Këln: Banda e drogës nuk i besoi viktimës

Shefi i bandës dyshohet se kishte blerë gjithsej rreth 200 kilogramë kokainë në disa raste, dhe bashkë me njerëzit e tij, e kishte ndarë drogën në apartamentin në Kalk për blerës të mundshëm. Viktima e kishte humbur telefonin, përmes të cilit organizoheshin shitjet. Në telefon ishin ruajtur numrat e klientëve, sipas aktakuzës. Blerësit e drogës vazhdonin të telefononin në atë numër. Fati i këtij “telefoni zyrtar” mbetet i paqartë edhe sot.

Kur u vu re se telefoni ishte zhdukur, shitësi i drogës u “thirr” nga banda, sipas hetuesve. Për rreth një javë ai u mbajt i mbyllur në apartamentin në Kalk. Sipas aktakuzës, bashkëpunëtorët e tij donin ta detyronin të dorëzonte telefonin e humbur ose të pranonte se e kishte dorëzuar atë te policia. Sidomos shefi i bandës nuk e besonte se ai e kishte humbur vërtet telefonin.

Tortura brutale

Sipas aktakuzës, autorët e kanë mbytur viktimën me një copë pëlhure deri sa të humbiste ndjenjat dhe i kanë thyer një pjatë në kokë. Gjithashtu, ata i kanë mbajtur disa herë një shufër hekuri të nxehtë në ije, duke i shkaktuar djegie. Po ashtu, i kanë shtypur cigare të ndezura në fytyrë. I akuzuari 33-vjeçar, që po gjykohet aktualisht, i ka drejtuar viktimës edhe një pistoletë dhe e ka kërcënuar: “Do të të vras!”

Viktima: “Më prenë dy gishtërinj të këmbës”

Sipas aktakuzës, autorët kanë tentuar t’i presin viktimës dy gishtërinj të këmbës me një pincë. Kur torturuesit ishin larguar përkohësisht, personi thirri për ndihmë dhe u lirua nga banesa. Ai u dërgua në spital me lëndime të rënda dhe qëndroi disa ditë atje. Ndërsa aktakuza flet vetëm për një tentativë, viktima deklaroi në gjykatë se dy gishtërinj i ishin prerë realisht – mjekët në spital arritën t’ia qepnin përsëri.

Në sallën e gjyqit, viktima 33 vjeç nuk pranoi të tregonte vendbanimin aktual. “Ai ka ende shumë frikë”, tha avokatja e tij. Personi konfirmoi ngjarjen, por nuk deshi të hynte në detaje. “Jam shumë keq, kujtimet po më kthehen”, tha ai. Ai pranoi se më parë kishte qenë pjesë e bandës së drogës dhe për këtë ishte dënuar tashmë nga Gjykata e Shkallës së Parë.

Avokati i mbrojtjes me rrëfim të gjerë

Avokati mbrojtës, Philipp Thiée, bëri një rrëfim të gjerë në emër të klientit të tij. I ardhur nga Shqipëria, babai i tre fëmijëve kishte mbërritur në Gjermani për të kërkuar punë dhe kishte përfunduar në Këln, ku jetonte një kushëri i tij. Ky i fundit e kishte përfshirë në aktivitetet e drogës. Gjatë marrjes peng, ai kishte qenë i pranishëm dhe e kishte lënduar viktimën, por – sipas avokatit – nuk kishte përdorur as armë, as pincë.

“Ai nuk është krenar për atë që ka ndodhur”, tha Thiée. I akuzuari kishte tentuar t’i paguante viktimës dëmshpërblim për dhimbjet, por paratë, që kishte në vendlindje, ishin marrë dhe shpenzuar nga babai i tij, i varur nga alkooli. “Për këtë arsye, aktualisht nuk mund të ofrojmë asgjë”, shpjegoi avokati. Vendimi pritet të merret jo më herët se pas një muaji.