Prokuroria Elbasan ka kërkuar masën e sigurimi “Arrest në burg” për tre persona, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, fusnin drogë në ambientet e burgut.
Masat janë dhënë për punonjësin e policisë në IEVP Elbasan, Ndriçim Kroi, të paraburgosurin Gerald Stamolla, dhe një grua, familjare e këtij të fundit, Esmeralda Komici.
Hetimet e kryera mbi procedimin penal nr.669, viti 2025, zbuluan se punonjësi i policisë së burgjeve, Ndriçim Kroi, që shërben në IEVP Elbasan, ka futur lëndë narkotike në burg kundrejt pagesës.
Sipas Prokurorisë, ai përdorte kohën jashtë shërbimit për të shitur sende të ndryshme në qytet, duke marrë porosi nga të afërmit e të paraburgosurve, të cilat më pas i fuste në institucionin e vuajtjes së dënimit.
Hetimet përfshinë përgjime telefonike dhe ambientale, vëzhgime, dokumentim filmik dhe veprime simuluese, duke treguar se Ndriçim Kroi bashkëpunonte me shtetasen Esmeralda Komici, e cila e paguante për futjen e drogës, dhe se i dashuri i saj, Gerald Stamolla, shpërndante më tej lëndën narkotike brenda burgut. Pagesat për këtë shërbim varionin nga 100-200 mijë lekë të vjetra.
Prokuroria konstaton se ekziston dyshim i bazuar se të tre personat kanë kryer veprat penale të “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burg”.





