Policia ka dalë me deklaratë zyrtare për aksidentin e rëndë të ndodhur pasditen e sotme në Gramsh.
Konfirmohet se bilanci i ngjarjes është një i vdekur dhe dy të plagosur rëndë. Fillimisht ka pasur konfuzion për shkak të vetë njoftimit që ka dhënë shoferi i plagosur i kamionçinës, duke thënë se kishte pasur dy viktima.
Konfirmohet se viktima është infermierja Dëshira Hoxha. Mësuesja Albana Boja u dërgua për mjekim drejt Spitalit të Traumës, pasi ka plagë serioze. Në spital po mjekohet edhe shoferi 38-vjeçar.
Sipas policisë vendore, kamionçina doli nga rruga dhe ra në një humnerë pranë fshatit Bardhaj, në aksin Gramsh-Poroçan.
“Në aksin rrugor “Gramsh-Porocan”, kamioni me drejtues shtetasin Sh. K., 38 vjeç, ka dalë nga rruga. Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar drejtuesi i kamionit, shtetasi Sh. K., dhe shtetasja A. B., pasagjere, të cilët janë transportuar për në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa ka humbur jetën shtetasja D. H., 43 vjeçe, pasagjere në kamion”, thuhet në deklaratën zyrtare të policisë së Elbasanit.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.





