Një operacion antidrogë është zhvilluar gjatë orëve të natës në Lezhë më 27 janar, ku policia ka zbuluar një magazinë të përshtatur për kultivimin e kanabisit me ndriçim artificial.

Magazina ndodhej pranë superstradës Lezhë–Laç, në afërsi të kryqëzimit të Spitenit. Gjatë kontrollit, shërbimet e policisë kanë gjetur qindra rrënjë kanabisi, si edhe pajisje të ndryshme për kultivimin e tyre, përfshirë llamba ndriçimi dhe sisteme ajrosjeje.

Po ashtu, janë sekuestruar armë zjarri dhe municion. Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar dy persona, të dyshuar si të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm, ndërsa 5 persona të tjerë janë shpallur në kërkim.

Policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Policia: Në pranga babë e bir

Në fshatin Rrilë, ku u finalizua operacioni i koduar “Second Floor”. Gjatë kontrollit në një objekt trekatësh, policia konstatoi katin e dytë të përshtatur për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike, me llamba dhe pajisje që furnizoheshin me energji elektrike në mënyrë të paligjshme. Nga hetimet dhe ndërhyrja u sekuestruan 8.8 kilogramë kanabis të tharë, 1064 bimë dhe 960 fidanë kanabis, 850 fara kanabisi, 106 llamba për kultivim, 180 gramë kokainë, 3 armë zjarri, 2 armë sportive, 1 automjet dhe 4 celularë.

Në flagrancë u arrestuan dy shtetas, babë e bir, A. Gj., 57 vjeç dhe A. Gj., 22 vjeç, të dyshuar si autorë të veprimtarisë kriminale. Gjithashtu, u arrestua një punonjës i OSHEE-së, Gj. D., 59 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në kultivimin e bimëve narkotike dhe për shpërdorim detyre, ndërsa katër punonjës të tjerë të OSHEE-së po hetohen për shpërdorim detyre. Në banesat e të arrestuarve, policia sekuestroi gjithashtu 180 gramë kokainë dhe disa armë, përfshirë armë zjarri dhe armë sportive. Hetimet tregojnë se kjo veprimtari kriminale ishte zhvilluar për disa muaj, ndërsa policia vijon dokumentimin e plotë të saj dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë për veprime të mëtejshme.