Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur vijimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj të pandehurit Jozi Kraja.

Sipas njoftimit zyrtar për mediat, më datë 27 janar 2026 Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) paraqiti pranë gjykatës kërkesën për marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurimit personal, të caktuar më herët me vendimin nr. 49, datë 15 maj 2024.

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, me vendimin nr. 6, datë 29 janar 2026, vendosi vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg”, bazuar në nenet 112, 228, 229, 230, 238 dhe 248 të Kodit të Procedurës Penale.

Jozi Kraja akuzohet për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasve Durim Bami dhe Valter Bami, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet përkatëse të Kodit Penal.

Gjykata urdhëroi Policinë Gjyqësore që i pandehuri të dërgohet menjëherë në institucionin e paraburgimit për të qëndruar në dispozicion të organit procedues, si dhe ngarkoi SPAK-un dhe policinë gjyqësore me zbatimin e vendimit.

Po ashtu, gjykata vendosi që mbrojtësi i caktuar kryesisht për Jozi Krajën të shpërblehet sipas tarifave të parashikuara në ligj.