Nga Dr. Bledar Kurti

Në botën e sotme, në të cilën fatkeqësisht, persekuptimi fetar, ideologjik e politik, është në nivele alarmante e të paprecedenta në shumë zona të botës, me vende të karakterizuara nga polarizimi ekstrem, me sulme të drejtpërdrejta apo indirekte ndaj të gjitha besimeve abrahamike, me vrasje dhe përndjekje masive ndaj praktikantëve të besimit, rikthimi i ideologjive përjashtuese dhe instrumentalizimi i fesë e politikës për qëllime pushteti të hekurt, radikalizmi nuk është më fenomen periferik, por një sfidë qendrore për mbarë shoqërinë globale.

Përballë kësaj vale, shpesh diskutohet për masa sigurie, ligje ndëshkuese apo strategji ushtarake. Megjithatë, historia dhe përvoja akademike globale na mësojnë se rrënjët e radikalizmit nuk çrrënjosen me forcë, por me dije. Pikërisht këtu akademia merr një rol kyç, si hapësirë formimi kritik, si institucion moral dhe si mekanizëm afatgjatë për shuarjen e ekstremizmit.

Radikalizmi lulëzon aty ku mendimi kritik mungon, ku e vërteta reduktohet në dogmë dhe ku identiteti ndërtohet mbi përjashtimin e “tjetrit”. Universitetet dhe institucionet akademike, në thelbin e tyre, ekzistojnë për të sfiduar absolutizmin e mendimit. Immanuel Kant, në esenë e tij mbi Iluminizmin, theksonte se emancipimi i njeriut fillon kur ai guxon të mendojë me mendjen e vet. Ky parim mbetet aktual. Një individ i arsimuar akademikisht është më pak i prirur t’i nënshtrohet narrativave radikale që ofrojnë përgjigje të thjeshta për probleme komplekse.

Forcimi akademik nuk nënkupton vetëm rritjen e numrit të universiteteve apo diplomave, por thellimin e cilësisë së arsimit, ndërdisiplinaritetin dhe ndërkombëtarizimin e dijes. Një akademi e fortë është ajo që ekspozon studentët ndaj perspektivave të ndryshme kulturore, fetare dhe ideologjike, duke i mësuar të debatojnë pa demonizuar. Karl Popper paralajmëronte se shoqëritë e mbyllura, ku një ide shpallet e pakontestueshme, janë terren pjellor për totalitarizëm. Akademia, si hapësirë e mendësisë së hapur, funksionon si kundërpeshë ndaj këtij rreziku.

Në kontekstin fetar, radikalizmi shpesh ushqehet nga interpretimet selektive dhe ahistorike të teksteve të shenjta. Siç ka theksuar studiuesi i njohur i fesë Karen Armstrong, ekstremizmi fetar nuk buron nga besimi i thellë, por nga frika dhe pasiguria. Akademia ndihmon pikërisht në çarmatosjen e kësaj frike përmes dijes dhe dialogut.

Edhe në planin politik, radikalizmi gjen terren në shoqëri ku institucionet janë të dobëta dhe diskursi publik është i varfëruar. Hannah Arendt, duke analizuar rrënjët e totalitarizmit, vinte në dukje se izolimi intelektual dhe shkatërrimi i mendimit kritik i paraprijnë gjithmonë autoritarizmit. Universitetet, përmes kërkimit shkencor dhe debatit publik, kontribuojnë në ndërtimin e një kulture politike ku pushteti sfidohet me argumente, jo me dhunë.

Një dimension shpesh i nënvlerësuar është ai global. Radikalizmi sot është transnacional; rrjetet ideologjike nuk njohin kufij. Për rrjedhojë, edhe përgjigjja duhet të jetë globale. Bashkëpunimi akademik ndërkombëtar, programet e shkëmbimit, kërkimi shkencor i përbashkët dhe standardet e përbashkëta etike krijojnë një komunitet global dijesh që minon narrativat izolacioniste. Nelson Mandela e konsideronte arsimin si armën më të fuqishme për të ndryshuar botën, jo në kuptimin e dhunës, por të transformimit shoqëror.

Kjo është arsyeja përse Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me politikat e saj të reja të marrëdhënieve me jashtë, si me Ballkanin Perëndimor ashtu edhe me zona apo kontinente të reja, sikurse edhe Bashkimi Evropian, kanë theksuar forcimin e bashkëpunimit dhe ndërkombëtarizimin e hapësirës akademike.

Më 10 shtator 2025 në Dhomën e Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan u parashtrua projektligji H.R. 5274, PROMOVIMI I ANGAZHIMIT NDËRKULTUROR DHE ARSIMOR i SHBA me Ballkanin Perëndimor, ku ndër të tjera theksohet: promovimi i partneriteteve midis universiteteve të Shteteve të Bashkuara dhe universiteteve në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht universiteteve në komunitetet tradicionalisht të patrajtuara siç duhet.

Sigurisht, akademia nuk është imune ndaj krizave. Ajo mund të politizohet, të burokratizohet apo të humbasë lidhjen me shoqërinë. Por zgjidhja nuk është dobësimi i saj, por reformimi dhe fuqizimi. Investimi në kërkim shkencor, mbrojtja e autonomisë universitare dhe promovimi i etikës akademike janë parakushte për ta bërë akademinë një aktor real kundër radikalizmit.

Kësisoj, radikalizmi ideologjik, fetar dhe politik nuk është thjesht problem sigurie, por krizë e dijes dhe e kuptimit. Ai nuk luftohet vetëm me masa afatshkurtra, por me një vizion afatgjatë për edukimin e njeriut. Akademia, kur është e fortë, e hapur dhe kritike, shndërrohet në një nga mekanizmat më të fuqishëm për shuarjen e ekstremizmit. Në një botë gjithnjë e më të fragmentuar, investimi në dije mbetet akti më racional dhe më human që shoqëritë mund të ndërmarrin.

Nëse institucionet akademike në mbarë botën rikthehen në identitetin e tyre primar të agorave të shkëmbimit dhe thellimit të ideve, radikalizmi ideologjik, politik e fetar do ketë gjithnjë e më pak oksigjen për t’u kultivuar e ushqyer. Dhe akademia universale do prodhojë një harmoni, toleramcë dhe bashkëjetesë universale të qëndrueshme.