Policia e Tiranës ka ndaluar një rast të transportimit të emigrantëve në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të Bashkimit Europian, teksa ka shpallur në kërkim organizatorin, një 33-vjeçar nga Durrësi.
Si rezultat i një hetimi në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, u arrestua shtetasi maqedonas J. N., 41 vjeç, i cili u kap në flagrancë në aksin rrugor “Kashar–Thumanë”, teksa transportonte dy emigrantë që synonin të kalonin ilegalisht në shtetet e BE-së.
Nga hetimet rezulton se është identifikuar edhe organizatori i këtij rasti, shtetasi M. A., 33 vjeç, banues në Durrës, i cili është shpallur në kërkim. Sipas policisë, dyshohet se 33-vjeçari iu ka marrë emigrantëve nga 2500 euro secilit, me premtimin se do t’i transportonte ilegalisht drejt Italisë.
Gjatë operacionit u sekuestruan automjeti me të cilin kryhej transporti, dy telefona celularë si dhe një shumë parash.
Policia bën me dije se po punohet për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, ndërsa në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.





