Një shtetas shqiptar është dënuar me tetë vite burg nga drejtësia franceze, pasi u kap duke transportuar mbi 18 kilogramë kokainë, me një vlerë tregu që kalon 1.2 milionë euro.
Ngjarja daton më 3 dhjetor të vitit të kaluar, kur doganierët francezë ndaluan një automjet tip Opel në pikën e pagesës së La Turbie.
Gjatë një kontrolli të detajuar, autoritetet zbuluan një vendstrehim të fshehtë nën dyshemenë në anën e shoferit, të përshtatur posaçërisht për transport droge. Brenda tij u gjetën 16 pako kokaine, me peshë totale mbi 18 kilogramë.
Në timon ndodhej një shqiptar 34-vjeçar, baba i dy fëmijëve të mitur, i cili u arrestua dhe u vendos në paraburgim. Ai pranoi menjëherë se po transportonte lëndë narkotike, por refuzoi kategorikisht të bashkëpunonte për identifikimin e rrjetit kriminal. I pandehuri nuk dha asnjë emër dhe nuk pranoi të zhbllokonte telefonin e tij.
Para autoriteteve, ai deklaroi se kishte pranuar transportin për shkak të vështirësive financiare, duke këmbëngulur se ishte hera e parë. “Jam i dobët dhe kisha nevojë për para”, u shpreh ai edhe gjatë seancës gjyqësore, duke u përpjekur të paraqitej si hallka më e dobët e zinxhirit.
Sipas versionit të tij, automjeti ishte blerë disa muaj më parë nga persona të lidhur me rrjetin dhe ishte marrë prej tyre në kufirin spanjoll, përpara se t’i kthehej i ngarkuar me drogë. Ai pretendoi se do të paguhej nga 4.000 deri në 5.000 euro për ta çuar ngarkesën në Itali.
Megjithatë, hetimet e kryera nga autoritetet franceze e rrëzuan këtë pretendim. Analiza e të dhënave telefonike tregoi se që nga blerja e mjetit në shtator, i pandehuri kishte kryer udhëtime të shumta në Spanjë, Itali, Belgjikë dhe Gjermani, një fakt që, sipas gjykatës, nuk përputhej me pretendimet për gjendje të rëndë ekonomike.
I pyetur vazhdimisht për mënyrën se si ishte lidhur me trafikantët, ai refuzoi të përgjigjej, duke deklaruar se kishte frikë për jetën e tij. “Janë njerëz të rrezikshëm”, tha ai para trupit gjykues.
Duke i cilësuar faktet si “jashtëzakonisht të rënda”, trupi gjykues e dënoi shqiptarin me tetë vite burg, më shumë se pesë vitet e kërkuara nga prokuroria. Ai u ndëshkua gjithashtu me ndalim hyrjeje në Francë për 10 vjet dhe me një gjobë doganore prej 654.500 eurosh.





