Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me operacionin ku u arrestuan dy persona, të cilët përgatisnin dhe shisnin ekstazi.

Të arrestuarit, Elvis Lezo dhe Bujar Lezo prej disa kohësh ishin përfshirë në shitjen dhe shpërndarjen e drogës, kryesisht të llojit ekstazi.

Lënda narkotike sillej nga Italia në rrugë tokësore. Në shtetin fqinj ata siguronin kokrra ekstazie, por dhe pluhur që më pas e përgatisnin në banesën e tyre në zonën e Ali Demit.

Emri i operacionit “Blue Punisher” është vendosur pikërisht nga mbishkrimi që mbanin kokrrat e ekstazisë sipër.

Elvis Lezo dyshohet se është personi që kishte lidhjet me një tjetër grup në Itali. Ai gjithashtu figuron me precedent penal më përpara. Ekstazia shitej kryesisht në lokalet e natës dhe një kokërr kushtonte 3 mijë lekë të rinj.