Ngurrimi i prindërve për të kërkuar ndihmë profesionale dhe ekspozimi i hershëm i fëmijëve ndaj teknologjisë janë ndër sfidat kryesore që hasen sot në zhvillimin e komunikimit tek të vegjlit.

Logopedistja Mei Bitri Jovani, drejtuese e një klinike Logopedike në Tiranë, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, shprehet se në praktikën e përditshme grupmosha që kërkon më shumë shërbime logopedike në Shqipëri mbetet ajo 0–6 vjeç, ndërsa ndërgjegjësimi për problematikat e komunikimit tek të rriturit ende mbetet i kufizuar.

Sipas saj, monitorimi i zhvillimit të fëmijës që në muajt e parë të jetës konsiderohet thelbësor për identifikimin e hershëm të vështirësive.

“Mungesa e fjalëve të para në moshën 18-muajshe, fjalori i kufizuar në moshën 2 vjeç, vështirësitë në kuptimin e komandave të thjeshta, mungesa e gjesteve apo ndërveprimit social janë disa nga shenjat që kërkojnë konsultë logopedike”, tha Jovani.

Logopedistja Jovani nënvizon rëndësinë e ndërhyrjes së hershme, sidomos në periudhën 0–3 vjeç, e cila konsiderohet faza më intensive e zhvillimit të trurit. Vonesa në trajtim, sipas saj, mund të thellojë hendekun zhvillimor dhe të ndikojë në vetëbesimin, sjelljen dhe zhvillimin emocional të fëmijës.

Një nga shqetësimet më të mëdha lidhet me përdorimin e teknologjisë.

“Zhvillimi i të folurit ndodh përmes ndërveprimit të drejtpërdrejtë me njerëzit. Ekspozimi i gjatë pasiv ndaj ekraneve ndikon negativisht në të folur, përqendrim dhe zhvillim emocional”, shprehet ajo.

Rekomandimi i ekspertes është që fëmijët 0–2 vjeç të mos kenë akses në ekrane, ndërsa mbi këtë moshë përdorimi të jetë shumë i kufizuar dhe gjithmonë i mbikëqyrur.

“Ndër çrregullimet më të shpeshta të komunikimit përmenden vonesa në të folur, çrregullimet e artikulimit, apraksia (çrregullim neurologjik i të folurit dhe lëvizjes), belbëzimi, disleksia dhe vështirësitë e komunikimit tek fëmijët me çrregullime neurozhvillimore”, vijoi ajo.

Sipas logopedistes, belbëzimi dhe disleksia mund të menaxhohen me sukses, sidomos kur identifikohen herët dhe trajtohen në mënyrë të vazhdueshme.

Bashkëpunimi multidisiplinar me mësues, psikologë dhe mjekë konsiderohet vendimtar për ecurinë e fëmijës. Prindërit këshillohen të kërkojnë ndihmë profesionale sapo të kenë dyshime, pasi informacioni i pakontrolluar në internet shpesh rrit ankthin dhe vonon ndërhyrjen.

“Në shtëpi, prindërit mund të ndihmojnë zhvillimin e gjuhës përmes aktiviteteve të thjeshta si leximi, këngët, lojërat krijuese, puzzle, lojërat simbolike apo aktivitetet e përditshme familjare. Mjaftojnë 30 minuta në ditë kohë cilësore me fëmijën për të nxitur zhvillimin e komunikimit”, theksoi Jovani.

Logopedistja Jovani u bën apel prindërve që të mos i krahasojnë fëmijët, pasi secili ka ritmin e vet të zhvillimit.

“Minimizoni kontaktin me ekranet dhe kaloni sa më shumë kohë cilësore me ta, sepse prania juaj është faktori më i rëndësishëm në zhvillimin e tyre”, shtoi ajo.

Disa ide lojërash të këshillueshme që çdokush mund të realizojë në shtëpi janë loja me flluska, puzzle dhe formuese, loja simbolike dhe imagjinare, aktivitete me lodrat shkak-pasojë, aktivitete kategorizimi (me kafshët, ngjyrat, frutat/perimet), loja me kuba etj.

“Ndonjëherë, s’ka nevojë për shumë aktivitete të komplikuara apo lodra të shumta, prindërit mund të zhvillojnë të folurin tek fëmija i tyre në çdo aktivitet të ditës, shëtitja në park, koha kur përgatisin vaktin, sistemimi i dhomës/lodrave. Ky stimulim gjuhësor mund të arrihet duke modeluar vazhdimisht të folurin, duke përshkruar, duke e ekspozuar fëmijën ndaj një fjalori të pasur, si dhe duke e nxitur fëmijën të përdorë fjalët për të kërkuar atë që dëshiron”, përfundoi Jovani.