Në rrugicat e çuditshme të marrëdhënieve njerëzore, ndonjëherë hasim individë që shfaqen si yje të ndritshëm në horizontin tonë emocional.
Fillimisht, ata të tërheqin me magnetizëm, me fjalë të ëmbla dhe me vëmendje që duket se të përqafon me ngrohtësi.
Por pas këtij shkëlqimi fshihet një boshllëk i thellë, një nevojë për të thithur energjinë dhe emocionet e të tjerëve, një boshllëk që nuk mund të mbushet brenda vetes.
Psikologët, nga Freud e deri te Otto Kernberg, e kanë quajtur këtë një formë patologjike të vetëvlerësimit, ku individi nuk kërkon lidhje, por pasqyrë, një reflektim të vlerës së vet.
Sociologët nga ana tjetër thonë se në botën e rrjeteve sociale dhe shpërndarjes së vazhdueshme të imazheve, ky fenomen është bërë më i dukshëm dhe më shfrenuar. Narcisët më shumë “postojnë” veten sesa jetojnë marrëdhënie të sinqerta.
Kur energjia e dikujt ka qenë e shfrytëzuar deri në pikën e fundit, narcisët ndryshojnë si minjtë që lëvizin fshehurazi, duke kërkuar gjahun e ri. Ata mund të kthehen të sjellshëm, bindës, madje të duket sikur kanë ndryshuar, por zemra e tyre mbetet një pishinë boshllëku, duke kërkuar përsëri dikë që të mbushë vrimën e brendshme me admirim dhe vlerësim. Amy Morin, psikologe e njohur për punën e saj mbi forcën emocionale, e përshkruan këtë fenomen si “shfrytëzim të energjisë psikologjike”: viktima ndjen një boshllëk të paemëruar, faj dhe konfuzion pasi marrëdhënia përfundon.
Të dallosh një narcisist nuk është mister, shenjat janë të qarta për këdo që di të vëzhgojë. Ata kërkojnë vlerësim të vazhdueshëm, nuk dëgjojnë nevojat e të tjerëve, dhe manipulojnë në mënyrë të rafinuar për të ruajtur kontrollin.
Komplimentet e tepruara që të bëjnë të ndihesh i veçantë, ndryshimet e papritura nga adhurim në kritikë, dhe mungesa e përgjegjësisë për gabimet e tyre janë disa nga treguesit më të fortë. Në jetën e përditshme, ata mund të shfaqen si shokë të ngushtë, partnerë të përkushtuar, apo kolegë idealë, por pas qeshjes dhe fjalëve të ëmbla fshihet një strategji e kujdesshme: çdo energji emocionale është një resurs që ata dëshirojnë të shfrytëzojnë.
Aktualiteti i ditëve tona, me ritmet e shpejta të komunikimit dhe presionin për të qenë të vlerësuar, ka bërë që sjellja narcisiste të jetë më e dukshme dhe më e rrezikshme.
Marrëdhëniet me këta individë shpesh lënë pas plagë të padukshme: lodhje emocionale, humbje kohe, dhe dyshime të brendshme për vlerën tonë.
Por njohja e modeleve të tyre dhe vendosja e kufijve të qartë janë armët më të fuqishme. Një nga mësimet më të mëdha është se të dallosh një narcisist nuk është shenjë paranoje, por inteligjencë emocionale: është aftësia për të ruajtur hapësirën tënde, për të mos u bërë burim i energjisë së dikujt tjetër dhe për të kultivuar marrëdhënie që ushqejnë dhe nuk shfrytëzojnë.
Në fund, marrëdhëniet me narcisët janë pasqyrë e nevojës për të kuptuar veten dhe për të mësuar të mbrosh energjinë tënde.
Në një kohë ku admirimi shpesh matet me klikime dhe “like”, të kuptuarit e shenjave, të dalluarit e modeleve të manipulimit dhe vendosja e kufijve të shëndetshëm, janë akti më i vërtetë i vetë-mbrojtjes. Kush e mëson këtë art, shpëton energjinë e tij dhe mban marrëdhënie që, ndryshe nga narcisët, sjellin rritje dhe gëzim të sinqertë.





