Ish presidenti amerikan Barack Obama ka reaguar pas videos raciste të shpërndarë nga presidenti Donald Trump në rrjetin e tij Truth Social, ku ai dhe bashkëshortja e tij Michelle paraqiteshin si majmunë.
Videoja ishte pjesë e një postimi me pretendime të pabazuara për manipulim të zgjedhjeve të vitit 2020 dhe shoqërohej me këngën “The Lion Sleeps Tonight”. Klipi ndezi reagime të forta në SHBA, si nga demokratët, ashtu edhe nga republikanët.
Obama foli në një podcast me Brian Tyler Cohen, ku u pyet për nivelin e debatit publik në vend. Pa e përmendur me emër presidentin Donald Trump, ai tha se diskursi politik në SHBA “ka rënë në një nivel mizorie që nuk e kemi parë më parë”.
“Është e rëndësishme të kuptojmë se shumica e amerikanëve e shohin këtë sjellje si thellësisht shqetësuese. Është e vërtetë që tërheq vëmendje. Është e vërtetë që është shpërqendrim”, tha Obama.
Ai shtoi se në rrjetet sociale dhe në televizion po zhvillohet “një shfaqje kllounësh” dhe se duket sikur ka humbur “turpi” dhe “respekti për detyrën” që dikur udhëhiqte zyrtarët publikë.
“Dhe ajo që është e vërtetë është se nuk duket se ka ndonjë turp për këtë midis njerëzve që dikur mendonin se duhej të kishe një lloj etikete dhe një ndjenjë korrektese dhe respekti për detyrën, apo jo? Kjo ka humbur”, tha ai.
Videoja u prit me kritika edhe nga republikanë të lartë. Senatori Tim Scott e quajti atë “gjëja më raciste që kam parë nga kjo Shtëpi e Bardhë”.
Fillimisht, Shtëpia e Bardhë i quajti reagimet “zemërim i rremë”. Më pas u tha se postimi ishte bërë nga një anëtar i stafit dhe videoja u fshi. President Donald Trump u tha gazetarëve se “nuk e kishte parë” pjesën ku shfaqeshin Obamat dhe se “nuk kishte bërë asnjë gabim”.





