Shtetet e Bashkuara dhe Irani do të zhvillojnë të martën bisedime indirekte në Gjenevë për çështjen bërthamore, në një moment tensioni të lartë dhe me rrezikun e përshkallëzimit ushtarak gjithnjë e më pranë. Negociatat zhvillohen ndërsa Uashingtoni ka grumbulluar forca të mëdha ushtarake në rajon.

Në bisedime do të marrin pjesë përfaqësuesit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, ndërsa pala iraniane do të përfaqësohet nga ministri i Jashtëm Abbas Araqchi. Bisedimet do të ndërmjetësohen nga Omani.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se do të përfshihet “në mënyrë indirekte” në proces dhe se beson që Teherani dëshiron një marrëveshje. Ai paralajmëroi se pasojat e mungesës së një marrëveshjeje do të ishin të rënda, duke kujtuar se SHBA-të tashmë kanë dërguar bombardues strategjikë B-2 në rajon.

Irani është i vetëdijshëm se një përpjekje e mëparshme për rifillimin e bisedimeve, në qershor të vitit të kaluar, u ndërpre pasi aleati i SHBA-ve, Izraeli, nisi një fushatë bombardimesh ndaj objektivave iraniane, ku më pas u përfshinë edhe bombarduesit amerikanë B-2. Teherani ka deklaruar se pas këtyre sulmeve ka ndaluar aktivitetin e pasurimit të uraniumit.

Ndërkohë, ushtria amerikane po përgatitet për mundësinë e disa javëve operacionesh ushtarake kundër Iranit, nëse Trump jep urdhër për sulm. Nga ana tjetër, Irani ka nisur të hënën një stërvitje ushtarake në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe për tregtinë ndërkombëtare të naftës, çka ka rritur shqetësimet e vendeve arabe të Gjirit, të cilat po bëjnë thirrje për diplomaci.

Bisedimet SHBA-Iran u rinovuan më 6 shkurt, pas dekadash mosmarrëveshjesh. SHBA-të dhe Izraeli besojnë se Irani synon të ndërtojë një armë bërthamore, gjë që Teherani e mohon, duke këmbëngulur se programi i tij është vetëm për qëllime paqësore, edhe pse ka pasuruar uranium përtej niveleve të nevojshme për energji.

Që nga sulmet e qershorit, udhëheqja iraniane është përballur me protesta të mëdha të brendshme për shkak të krizës së kostos së jetesës dhe sanksioneve ndërkombëtare që kanë goditur rëndë të ardhurat nga nafta.

Uashingtoni po kërkon që bisedimet të përfshijnë edhe çështje të tjera, si programi raketor i Iranit, por Teherani pranon të diskutojë vetëm kufizime në programin bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve, duke përjashtuar heqjen dorë të plotë nga pasurimi i uraniumit.

Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio deklaroi nga Budapesti se arritja e një marrëveshjeje me Iranin është e vështirë, por se SHBA-të janë të gatshme ta provojnë.

Një ditë para bisedimeve, Araqchi u takua në Gjenevë me kreun e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore, Rafael Grossi, për të diskutuar bashkëpunimin dhe aspektet teknike të negociatave.

Ndërkohë, të martën pasdite, Witkoff dhe Kushner pritet të marrin pjesë edhe në bisedime trepalëshe me Rusinë dhe Ukrainën, në përpjekje të SHBA-ve për të shtyrë palët drejt një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës katërvjeçare në Ukrainë.