Një ngjarje tronditëse ka dalë në dritë lidhur me koncertet e superyllit botëror Taylor Swift në Vjenë. Prokurorët austriakë kanë ngritur akuza për terrorizëm ndaj një 21-vjeçari, i cili dyshohet se kishte planifikuar një sulm gjatë një prej netëve të turneut rekord “Eras Tour” në gusht 2024.
Tre data të koncertit u anuluan papritur pasi autoritetet zbuluan një komplot të mundshëm. Sipas mediave austriake, i dyshuar i identifikuar si Beran A. ishte arrestuar që në gusht të vitit të kaluar dhe aktualisht ndodhet në paraburgim.
Prokuroria bën me dije se 21-vjeçari kishte shprehur besnikëri ndaj organizatës terroriste Islamic State (IS), duke shpërndarë materiale propagandistike në platforma të ndryshme komunikimi. Ai dyshohet se kishte siguruar në internet udhëzime për ndërtimin e një bombe me copëza metalike, të bazuar në eksplozivin triaceton triperoksid (TATP), dhe se kishte prodhuar një sasi të vogël të tij.
Sipas hetimeve, i riu kishte tentuar disa herë të siguronte armë në mënyrë të paligjshme jashtë Austrisë për t’i futur më pas në vend. Çështja pritet të shqyrtohet në Wiener Neustadt, pranë Vjenës. Nëse shpallet fajtor, ai rrezikon deri në 20 vite burg.
Ylli amerikan reagoi asokohe në rrjetet sociale, duke u shprehur se anulimi i koncerteve e kishte mbushur me frikë dhe ndjenjë faji ndaj fansave që kishin planifikuar të merrnin pjesë.
Autoritetet amerikane konfirmuan se kishin ndarë informacione inteligjence me palën austriake për të parandaluar sulmin. Zëdhënësi për sigurinë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, deklaroi në atë kohë se SHBA-të bashkëpunojnë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për të neutralizuar kërcënime të tilla.
Ndërkohë, vitin e kaluar një gjykatë në Berlin dënoi edhe një 16-vjeçar sirian për përfshirje në komplot, duke i dhënë një dënim me 18 muaj burg me kusht.
Ngjarja tronditi fansat e artistes në mbarë botën, ndërsa masat e sigurisë për turnetë e saj u shtuan ndjeshëm pas incidentit.





