Nikolai Patrushev, një nga aleatët më të afërt të presidentit rus Vladimir Putin, ka deklaruar se Marina Ruse duhet të jetë e përgatitur për t’u përballur me atë që ai e cilësoi si “pirateri perëndimore”, duke paralajmëruar se Moska është gati të thyejë çdo përpjekje për bllokadë detare. Patrushev, ish-drejtor i FSB-së dhe aktualisht në krye të këshillit detar të Rusisë, u shpreh në një intervistë për gazetën ruse Argumenty i Fakty se fuqitë evropiane po intensifikojnë presionin ndaj anijeve ruse, në kuadër të sanksioneve të vendosura kundër Moskës.

“Nëse kjo situatë nuk mund të zgjidhet në mënyrë paqësore, marina do të thyejë çdo bllokadë dhe do të veprojë për ta hequr atë. Dhe të mos harrojmë se shumë anije lundrojnë në det nën flamuj evropianë – dhe ne mund të jemi të interesuar se çfarë mbajnë ato dhe ku po shkojnë”, deklaroi ai. Sipas Patrushev, Rusia duhet t’u japë “një përgjigje të ashpër” vendeve si Britania, Franca dhe shtetet baltike, duke paralajmëruar se në të kundërt këto vende mund të përpiqen të kufizojnë aksesin e Rusisë në pellgun e Atlantikut. Ai shtoi se në zona kyçe detare duhet të vendosen përherë forca të konsiderueshme ushtarake për të “ngrirë entuziazmin e piratëve perëndimorë”.

“Flota në hije” dhe sanksionet
Perëndimi ka vendosur sanksione të ashpra ndaj ekonomisë ruse, ndërsa muajt e fundit janë shtuar përpjekjet për të bllokuar cisternat e dyshuara si pjesë e të ashtuquajturës “flotë në hije” të Rusisë. Ky term i referohet rreth 1,500 cisternave të vjetra ose të rregulluara lehtë, që operojnë nën struktura pronësie jo transparente dhe përdoren për të eksportuar naftë ruse drejt vendeve si Kina dhe India, duke anashkaluar sanksionet. Mbi 600 prej këtyre anijeve janë vënë në shënjestër nga BE-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja.

Patrushev theksoi se çdo përpjekje për të vendosur bllokadë detare ndaj Rusisë do të ishte e paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, duke argumentuar se termi “flotë në hije” nuk ka bazë juridike. Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur zyrtarë evropianë po diskutojnë mekanizma për sekuestrimin e cisternave të lidhura me eksportet ruse të naftës. Megjithatë, qeveritë evropiane kanë hasur vështirësi në krijimin e një baze të qartë ligjore për ndalimin fizik të anijeve, duke u mbështetur kryesisht në sanksione financiare, kufizime sigurimesh dhe inspektime.

Komentet e Patrushev sugjerojnë një ashpërsim të retorikës nga Moska, ndërsa tensionet mes Rusisë dhe vendeve perëndimore mbeten të larta në sfondin e luftës në Ukrainë dhe përpjekjeve diplomatike që vijojnë.