Miratimi i listës së qytetarëve përfitues të grantit të rindërtimit për banesat me dëme DS1, DS2 dhe DS3 ditën e premte të javës së kaluar ka ngjallur reagime të shumta, sidomos të qytetarëve që janë skualifikuar nga lista me arsye nga më të ndryshmet.

Në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak, disa prej këshilltarëve i drejtuan disa pyetje kryebashkiakes Emiriana Sako për të sqaruar problematika të caktuara të ngritur nga qytetarët lidhur me procesin e rindërtimit.

Shumë qytetarë, sidomos në njësitë administrative nuk janë kualifikuar tek lista e parë për shkak të problemeve të pronësisë. Kryebashkiakja sqaroi se për banesat e ndërtuara shumë vite më parë, por që nuk kanë dokument pronësie, po punohet për krijimin e një pasaporte për secilën banesë me qëllim, që këta qytetarë të mund të përfitojnë grantin e dëmshpërblimit. Sipas Sakos, 70% e qytetarëve që kanë aplikuar tashmë janë përfshire ne listen e perfituesve, e cila pritet te shtohet me emra te rinj, pas shqyrtimit te ankimimeve qe po behen keto dite. 

Ndërkohë, e pyetur nga këshilltarët nëse do të ketë një proces rivlerësimi për banesa të ndryshme me qëllim ndryshimin e dëmit të pësuar në banesë, Sako tha se në këto raste banorët mund të pajtojnë një inxhinier për të bërë një akt konstatim të banesës dhe për ta dërguar për oponencë në Institutin e Ndërtimit.

Kryebashkiakja sqaroi se gjatë muajve të parë pas tërmetit janë bërë gjithsej rreth 19 mijë akt konstatime, nga të cilat vetëm rreth 9000 prej tyre rezultojnë me dëmtime.

Sqarimet e plota të kryebashkiakes Sako për disa nga pyetjet e ngritura për procesin e rindërtimit në Durrës ndiqini në videon e mëposhtme.