Një shtetas sudanez është arrestuar në Korçë pasi ka ndihmuar dy emigrantë të futeshin ilegalisht në Shqipëri.
Blutë bëjnë me dije se shtetasi M. S., 25 vjeç, banues në Darfur, Sudan në bashkëpunim me persona të tjerë, të cilët dyshohet se ndodhen në Greqi, kanë ndihmuar 2 emigrantë për të kaluar ilegalisht nga Greqia në territorin e Shqipërisë nëpërmjet kufirit të gjelbër, në zonën e Devollit.
Njoftimi i policisë:
Vijojnë operacionet kundër dhënies së ndihmës emigrantëve për të kaluar kufijtë ilegalisht.
Finalizohet operacioni i koduar “Itinerari 3”.
Vihet në pranga një tjetër shtetas sudanez, i cili ndihmoi 2 emigrantë për të kaluar kufirin ilegalisht nga Greqia, në drejtim të vendit tonë me qëllim destinacioni një nga vendet e BE-së.
Si rezultat i hetimeve dhe punës operacionale intensive, të kryera me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme në kufi, dhe konkretisht aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës, kundrejt parave, emigrantëve që synojnë të shkojnë në mënyrë të kundërligjshme në shtete të BE-së, strukturat e DVKM Korçë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Itinerari 3”.
Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi M. S., 25 vjeç, banues në Darfur, Sudan.
Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se ky shtetas në bashkëpunim me shtetas të tjerë, të cilët dyshohet se ndodhen në Greqi, kanë ndihmuar 2 emigrantë për të kaluar ilegalisht nga Greqia në territorin e Shqipërisë nëpërmjet kufirit të gjelbër, në zonën e Devollit. Emigrantët e parregullt, janë konstatuar nga shërbimet e Sektorit të Hetimit të Krimit të DVKM Korçë, në malin Moravë.
Punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme.
Materialet procedurale për këto raste iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.





