Imazhet e fundit satelitore tregojnë se Irani po riparon dhe forcon një sërë objektesh ushtarake dhe bërthamore, përfshirë në Parchin, Natanz dhe Isfahan, në një periudhë kur tensionet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në rritje.

Sipas raportimit të Reuters, punimet përfshijnë ndërtimin e strukturave të reja prej betoni, mbulimin me dhe të hyrjeve të tuneleve dhe riparimin e bazave raketore të dëmtuara gjatë përplasjes së vitit të kaluar me Izraeli.

“Mburojë betoni” në Parchin

Në kompleksin ushtarak të Parchin, rreth 30 kilometra në juglindje të Teheranit, imazhet tregojnë ndërtimin e një strukture të re të mbuluar me beton dhe më pas me shtresë dheu – një lloj “sarkofagu” mbrojtës mbi një objekt të ri të quajtur Taleghan 2.

Sipas analizës së Instituti për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare, në zonë është vërejtur ndërtimi i një strukture që përfshin një element cilindrik të gjatë, i cili mund të jetë një dhomë kufizimi për eksplozivë me fuqi të lartë – pajisje që konsiderohet thelbësore për zhvillimin e armëve bërthamore, por që mund të përdoret edhe për armë konvencionale.

Themeluesi i institutit, David Albright, deklaroi se Irani duket se po “varros” objektin e ri për ta bërë atë sa më pak të identifikueshëm dhe për ta mbrojtur nga sulmet ajrore.

Të “varrosura” hyrjet e tuneleve në Isfahan

Kompleksi bërthamor në Isfahan, një nga tre impiantet iraniane të pasurimit të uraniumit të goditura nga SHBA-të në qershor, përfshin një zonë nëntokësore ku – sipas diplomatëve – ruhet një pjesë e madhe e uraniumit të pasuruar të Iranit.

Sipas ISIS, deri më 9 shkurt, të tre hyrjet e tuneleve në këtë kompleks janë mbuluar plotësisht me dhe. Ekspertët vlerësojnë se kjo lëvizje synon të reduktojë efektet e një sulmi të mundshëm ajror dhe të vështirësojë një operacion tokësor për sekuestrimin apo shkatërrimin e materialit bërthamor.

Forcime edhe pranë Natanzit

Imazhe të tjera satelitore tregojnë punime për forcimin dhe mbrojtjen e dy hyrjeve të një kompleksi tunelesh rreth 2 kilometra nga Natanz. Raportohet për aktivitet të vazhdueshëm me mjete të rënda, megjithëse planet konkrete të Teheranit për këtë objekt mbeten të paqarta.

Dëmtime dhe riparime në bazat raketore

Sipas Qendrës Alma për Kërkim dhe Edukim, baza raketore në Shiraz – një nga 25 bazat kryesore me kapacitet lëshimi të raketave balistike me rreze të mesme – ka pësuar dëmtime të lehta sipërfaqësore gjatë konfliktit të vitit të kaluar, ndërsa janë vërejtur përpjekje për rikonstruksion.

Ndërkohë, një bazë raketore në rajonin e Qom, rreth 40 kilometra në veri të qytetit, ka pësuar dëmtime të moderuara, me riparime të përfunduara në çatinë e një ndërtese të dëmtuar.

Në sfond, negociata dhe kërcënime

Zhvillimet vijnë në një moment kur Uashingtoni po përpiqet të negociojë një marrëveshje me Teheranin për programin e tij bërthamor, duke paralajmëruar njëkohësisht për veprim ushtarak në rast se bisedimet dështojnë.

Irani, nga ana e tij, mohon se synon të zhvillojë armë bërthamore, ndërsa imazhet e fundit satelitore hedhin dritë mbi përpjekjet e tij për të forcuar infrastrukturën strategjike në kushtet e një përshkallëzimi të mundshëm të tensioneve në rajon.