Një 20-vjeçar ka arritur të flejë në hotele luksoze në Spanjë duke paguar vetëm 1 cent për natë. Skema zgjati deri sa policia e gjeti në një hotel në Madrid dhe i vuri prangat.

Sipas autoriteteve, i riu ndërhynte në sistemin e pagesave të një platforme rezervimesh online.

Ai vendoste si shumë për t’u paguar vetëm 0.01 euro dhe sistemi e miratonte transaksionin si të rregullt.

Mashtrimi zbulohej vetëm kur hoteli merrte realisht pagesën dhe shihte se në llogari kishte mbërritur… një cent.

Policia thotë se gjatë disa qëndrimeve ai ka shkaktuar mbi 20 mijë euro dëme.

Qëndrimi i fundit në Madrid zgjati katër net dhe do të kushtonte rreth 4 mijë euro.

Dyshohet se i riu ka konsumuar edhe produkte nga minibari duke lënë fatura të tjera të papaguara. Hetimi nisi pasi një faqe rezervimesh sinjalizoi lëvizje të dyshimta.

Brenda katër ditësh, autoritetet e identifikuan dhe e arrestuan.

Mediat spanjolle raportojnë se ai kishte përdorur identitetin e tij të vërtetë për rezervimet.

Policia dyshon se mund të ketë vepruar edhe në hotele të tjera, ndërsa raportohet se më parë ishte arrestuar edhe në Ishujt Kanarie për një rast të ngjashëm.