Një incident shumë i rëndë sigurie ka tronditur Ministrinë e Brendshme të Italisë. Një listë që përmban rreth 5 mijë agjentë të Digos, me emra, detyra dhe seli operative, ka përfunduar në duart e hakerave të lidhur, sipas burimeve hetimore, me sferën e inteligjencës kineze. Bëhet fjalë për profile hetuesish të angazhuar në çështjet më delikate: Antiterrorizëm, monitorim të komuniteteve të huaja dhe gjurmim të disidentëve kinezë që kanë gjetur strehim në Itali.

Sipas informacioneve, të dhënat janë marrë pas një sulmi kibernetik të ndodhur mes viteve 2024–2025. Një ndërhyrje e heshtur dhe e mirëorganizuar që ka lejuar depërtimin në rrjetin e Ministrisë së Brendshme dhe shkarkimin e materialeve të rezervuara nga komisariate të ndryshme në të gjithë vendin. Qëllimi nuk ishte sabotimi, por njohja: Kush heton, ku dhe mbi çfarë.

Zbulimi vjen në një moment jashtëzakonisht delikat, sepse përkon me një fazë të re të marrëdhënieve mes Italisë dhe Kinës në fushën e bashkëpunimit gjyqësor. Në vitin 2024, ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi u takua në Pekin me homologun e tij kinez Wang Xiaohong. Në atë takim u hodhën bazat e një plani trevjeçar bashkëpunimi kundër trafikut të drogës, krimit kibernetik, trafikimit të qenieve njerëzore dhe krimit të organizuar.

Për herë të parë, Kina iu përgjigj pozitivisht një letër-porosie të drejtësisë italiane. Rezultati u arrit nga Prokuroria e Pratos, e drejtuar nga Luca Tescaroli, e cila po heton prej vitesh krimin e organizuar kinez në Toskanë. Më 25 nëntor 2025, pas autorizimit të Ministrisë së Drejtësisë, një delegacion kinez i udhëhequr nga Zhongyi Liu vizitoi zyrat e prokurorisë në Prato. Tema kryesore: Lufta kundër klaneve kineze të përfshira në vrasje, shantazhe, zjarrvënie dhe pastrim parash.

Në Toskanë, sipas prokurorisë, po zhvillohet prej verës së vitit 2024 një luftë e vërtetë për kontrollin e sektorëve fitimprurës të ekonomisë paralele: prodhim grucash, ambalazh, logjistikë dhe transport. Konflikti ka pasur pasoja edhe jashtë Italisë, me episode të regjistruara në Francë dhe Spanjë.

Takimi në Prato, i mbajtur larg vëmendjes publike, u paraqit si nisja e një bashkëpunimi “efikas dhe të shpejtë” mbi shkëmbimin e informacionit. Delegacioni kinez ofroi ekspertë, inteligjencë dhe madje ekipe të përbashkëta hetimore. Prokuroria italiane u tregua e kujdesshme, duke theksuar se çdo veprim duhet të kalojë përmes kanaleve zyrtare dhe traktateve ndërkombëtare.

Por në Romë situata ndryshon. Autoritetet italiane kuptojnë se pala kineze mund të ketë tashmë shumë informacion. Një takim i kërkuar nga pala kineze me shefin e policisë italiane Vittorio Pisani përfundoi me tension. Drejtuesit e sigurisë italiane kërkuan shpjegime për sulmin kibernetik, për sistemet e shkelura dhe për të dhënat e vjedhura. Por sqarime nuk jepen.

Pasojat janë të menjëhershme: Italia ngriu bashkëpunimin operacional. U ndaluan patrullimet e përbashkëta në qytetet me prani të lartë kineze, u pezulluan trajnimet e agjentëve kinezë në Itali dhe u ndërprenë kanale bashkëpunimi të ndërtuara ndër vite. Besimi ka pësuar goditje të rëndë.

Ndërkohë, hetimet në Prato vazhdojnë. Një kthesë vendimtare vjen pas tentativës për vrasje në korrik 2024 ndaj sipërmarrësit Changmeng Zhang, i cili mbijetoi dhe vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë. Dëshmitë e tij çojnë në arrestime dhe dënime, duke thyer heshtjen brenda komunitetit. Pas një apeli publik të prokurorisë, qindra punëtorë të shfrytëzuar dhe disa sipërmarrës kinezë fillojnë të denoncojnë dhunën dhe shantazhin.

Çështja tashmë ka marrë përmasa kombëtare. Nuk bëhet fjalë vetëm për krim të organizuar, por për siguri kombëtare, marrëdhënie diplomatike dhe inteligjencë. Dyshimi kryesor i hetuesve është se të dhënat e vjedhura shërbejnë për të rindërtuar rrjetin e mbrojtjes që Italia u ofron disidentëve kinezë: kontakte, dëshmitarë dhe programe mbrojtjeje.

Këtë e konfirmon edhe një deklaratë zyrtare e policisë italiane: “Sulmet kishin për qëllim lokalizimin e qytetarëve kinezë disidentë në territorin italian dhe identifikimin e agjentëve të Digos të angazhuar në hetimet ndaj grupeve kineze”.

Sipas analistëve të sigurisë kibernetike, operacione të tilla i atribuohen një strukture të njohur si Ink Dragon, e përshkruar në raportet ndërkombëtare si një aktor i rreshtuar me interesat e Pekinit. Objektivi i këtyre operacioneve nuk është shkatërrimi i sistemeve, por qëndrimi i gjatë brenda tyre dhe mbledhja e informacionit strategjik.

Në këtë kontekst, vjedhja e identiteteve të 5 mijë hetuesve nuk shihet më si një incident informatik, por si një operacion i mirëfilltë inteligjence. Pyetja kryesore për autoritetet italiane mbetet: Pse dhe në çfarë momenti ky sulm u mbivendos me diplomacinë që po ndërtohej mes Pratos, Romës dhe Pekinit. Përgjigjja lidhet jo vetëm me krimin e organizuar, por edhe me fatin e disidentëve që kanë gjetur strehë në Itali.