Emmanuel Macron ka reaguar ashpër ndaj kritikave amerikane për përpjekjet e Europës në rregullimin e inteligjencës artificiale (IA), duke theksuar se mbrojtja e fëmijëve nga “abuzimi digjital” do të jetë prioritet gjatë presidencës franceze të G7-s.

Duke folur në samitin “AI Impact” në Delhi, Macron kërkoi masa më të forta sigurie pas zemërimit global për përdorimin e chatbot-it Grok të Elon Musk, i cili u shfrytëzua për të gjeneruar mijëra imazhe të seksualizuara të fëmijëve. Ai paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e përqendrimit të fuqisë së IA-së në duart e pak kompanive të mëdha.

Në të njëjtën linjë ishte edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, i cili deklaroi se “asnjë fëmijë nuk duhet të jetë subjekt prove për IA të parregulluar”.

“E ardhmja e IA-së nuk mund të vendoset nga disa vende apo nga tekat e disa miliarderëve. IA duhet t’i përkasë të gjithëve”, u shpreh Guterres.

Samiti u shoqërua edhe me momente tensioni. Kryeministri indian Narendra Modi tentoi të shfaqte unitet mes drejtuesve të teknologjisë, por drejtuesit e OpenAI dhe Anthropic refuzuan të kapeshin për dore në skenë.

Në mesin e liderëve të pranishëm ishin përfaqësues nga Google, Meta dhe Microsoft. Ndërsa Sam Altman dhe Dario Amodei qëndruan të distancuar, duke reflektuar rivalitetin dhe mosmarrëveshjet e mëparshme mes tyre për çështjet e sigurisë së IA-së.

Nga ana tjetër, këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë për IA, Sriram Krishnan, ripërsëriti kritikat e administratës së Donald Trump ndaj Aktit Europian për IA, duke e cilësuar atë si pengesë për inovacionin.

Macron kundërshtoi këto qëndrime, duke theksuar se Europa mbetet një hapësirë për inovacion, por mbi të gjitha një “hapësirë e sigurt”.

Një studim i publikuar nga UNICEF dhe Interpol në 11 vende zbulon se të paktën 1.2 milionë fëmijë kanë raportuar manipulimin e imazheve të tyre në përmbajtje seksuale “deepfake” gjatë vitit të fundit. Në disa vende, një në 25 fëmijë është prekur.

“Nuk ka arsye që fëmijët të ekspozohen online ndaj asaj që është e ndaluar në botën reale”, tha Macron, duke njoftuar se Franca po shqyrton ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç.

Ndërkohë, Altman paralajmëroi se deri në vitin 2028, një pjesë më e madhe e kapacitetit intelektual global mund të gjendet në qendrat e të dhënave sesa jashtë tyre, duke kërkuar krijimin e një organi ndërkombëtar mbikëqyrës të ngjashëm me International Atomic Energy Agency.

Modi e krahasoi zhvillimin e IA-së me zbulimin e zjarrit, duke e cilësuar si një transformim të thellë në historinë njerëzore. Ai theksoi se duhet të shmanget një monopol i IA-së dhe bëri thirrje për kode me burim të hapur, ndryshe nga modeli amerikan, ku sistemet kryesore nuk janë të hapura për publikun.

India synon të pozicionohet si fuqia e tretë globale në IA, pas SHBA-së dhe Kinës, ndërsa Google ka njoftuar një investim prej 15 miliardë dollarësh në qendra të dhënash dhe infrastrukturë kabllore që lidh vendin me tregjet ndërkombëtare.