Vëllai i Mbretit Charles, Andrew, u arrestua në rezidencën e tij në pronën mbretërore të Sandringham Estate, u shoqërua në komisariat, u fotografua dhe iu morën shenjat e gishtërinjve. Vetëm pak ditë më parë ai banonte ende në Royal Lodge, një rezidencë luksoze me tridhjetë dhoma në Windsor Great Park.

Disa javë më herët, si “Princi” Andrew, ai kishte publikuar një deklaratë përmes Pallatit, duke shpallur përkushtimin e tij ndaj detyrës dhe pafajësinë e tij. Vetëm pak muaj më parë, ishte fotografuar në shkallët e Westminster Abbey, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes, në funeralin e Dukeshës së Kentit.

Për vite me radhë, pas largimit nga posti i të dërguarit tregtar në vitin 2011, ai përdori Buckingham Palace si sfond për nismën e tij investuese Pitch@Palace. Për më shumë se gjashtë dekada, ai ishte pjesë e asaj që i ati, Princi Philip, e quante “biznesi familjar”.

Pas zhvillimeve të fundit, pak kush do ta kishte zili sot pozicionin e Mbretit Charles III. Mbështetësit e tij theksojnë se ai ka ndërmarrë tashmë hapa të paprecedentë: heqjen e titujve dhe të rezidencës nga i vëllai, angazhimin për bashkëpunim të plotë me autoritetet dhe reagimin e menjëhershëm pas arrestimit të Andrew Mountbatten-Windsor.

Në deklaratën e publikuar disa orë pas arrestimit nuk pati asnjë referencë për lidhjet e gjakut. Mbreti foli për “shqetësim të thellë” lidhur me “dyshime për shkelje në detyrë publike” dhe siguroi se autoritetet “kanë mbështetjen dhe bashkëpunimin tonë të plotë dhe të pakushtëzuar”.

Për mbrojtësit e tij, kjo është një shenjë e qartë se Mbreti vendosi detyrën ndaj Kurorës mbi besnikërinë familjare. Biografi dhe miku i Mbretit, Jonathan Dimbleby, deklaroi publikisht se duhet bërë dallim mes Familjes Mbretërore dhe institucionit të monarkisë, duke theksuar se arrestimi nuk e dëmton domosdoshmërisht vetë institucionin.

Megjithatë, ky dallim thelbësor për Pallatin, nuk perceptohet nga një pjesë e madhe e opinionit publik. Në sytë e shumëkujt, Pallati, Familja dhe monarkia përbëjnë “një dhe të njëjtën gjë”. Ideja se bëhet fjalë për një “çështje private” vështirë se bind, pasi Andrew Mountbatten-Windsor, ish-Princi Andrew, mbetet në linjën e trashëgimisë. Gjakut mbretëror është thelbi i një monarkie trashëgimore.

Edhe nëse do të ishte thjesht një qytetar privat, marrëdhënia e tij e gjatë me Familjen Mbretërore dhe Pallatin do të mjaftonte për ta përfshirë institucionin në këtë përplasje. Ende mbetet e paqartë se çfarë mund të sjellë “bashkëpunimi i pakushtëzuar” me hetimet, që Mbreti ka premtuar, shkruan BBC.

Monarkia është një institucion i vazhdimësisë, ajo mban peshën e së shkuarës dhe njëkohësisht duhet t’u përgjigjet kërkesave të së tashmes. Mbështetësit e Mbretit këmbëngulin se ai veproi me shpejtësi dhe vendosmëri. Kritikët, përkundrazi, do të pyesin pse nuk pati ndërhyrje më të hershme, pse nuk u tregua vigjilencë më e madhe kur akuzat shtoheshin dhe në çfarë momenti ndryshoi saktësisht qëndrimi ndaj ish-princit.

Tensioni i ditës së djeshme mund të zbehet. Dëmi, megjithatë, tashmë është bërë. Pyetja që mbetet për Pallatin, Familjen Mbretërore dhe Kurorën është një: deri ku mund të thellohet më tej kjo krizë?