
Foto të reja të Prince Andrew kanë shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, pasi u publikuan nga media amerikane TMZ.
Pamjet, të realizuara në vitin 2011, e tregojnë Dukën e atëhershëm të Jorkut të gjunjëzuar përballë një djali të vogël, duke luajtur me të me një top të pazakontë, në formën e gjoksit të një gruaje.
Në një prej fotove, fëmija shihet duke luajtur me topin ndërsa Andrew është ulur në tapet përballë tij. Një tjetër imazh i tregon ata të ulur së bashku në divan. Sipas medias amerikane, fotot janë realizuar brenda rezidencës së Andrew në Windsor dhe raportohet se ai nuk ka qenë i vetëm me fëmijën në momentin kur janë shkrepur pamjet.
Publikimi i këtyre fotove vjen në një kohë kur emri i ish-princit është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes për shkak të zhvillimeve që lidhen me financierin e ndjerë dhe pedofilin e dënuar Jeffrey Epstein.
Sipas raportimeve, Prince Andrew u arrestua në orët e para të mëngjesit të së enjtes me dyshimin për sjellje të keqe në detyrë publike, pas publikimit nga Departamenti i Drejtësisë i dosjeve të reja që lidhen me Epstein. Rreth 12 orë më vonë, ai u lirua.
Fotografia e parë pas lirimit të tij, ku ai shfaqet i ulur në sediljen e pasme të një makine dhe përpiqet të shmangë kamerat e fotografëve, u bë shpejt virale në rrjetet sociale, duke shtuar më tej debatet rreth figurës së tij publike.





