Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar në Austri, ku ka humbur jetën, kushëriri i mesfushorit shqiptar të FC Zürich, Valon Berisha.
Sipas raportimeve, ngjarja ka ndodhur në autostradën Westautobahn, ku furgoni me të cilin udhëtonte 38-vjeçari ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një barrierë anësore.
Në momentin e ngjarjes, Berisha ndodhej në një automjet që lëvizte përpara furgonit dhe e ka parë aksidentin përmes pasqyrës së pasme.
Mesfushori është ndalur menjëherë për të dhënë ndihmën e parë, së bashku me disa kalimtarë të tjerë, deri në mbërritjen e shërbimeve të emergjencës.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, 38-vjeçari u shpall i vdekur në vendngjarje.
Në një reagim zyrtar, FC Zürich shprehu tronditjen për humbjen tragjike dhe sqaroi se lojtari nuk ishte i përfshirë drejtpërdrejt në aksident, por ishte dëshmitar i tij.





