Kërkesa e Presidentit Donald Trump që ish-këshilltarja e sigurisë kombëtare të SHBA-së, Susan Rice, të hiqet nga bordi i drejtorëve të Netflix është refuzuar nga drejtori ekzekutiv i kompanisë, Ted Sarandos. Në një postim në platformën Truth Social, Trump e quajti Rice “mashtruese politike”, duke mbështetur qëndrimet e aktivistes së ekstremit të djathtë Laura Loomer, e cila kishte akuzuar Netflix si “jo-amerikan” për shkak të lidhjeve me Rice. Kjo e fundit ka shërbyer si këshilltare e sigurisë kombëtare gjatë mandatit të dytë të Barack Obama, ka qenë pjesë e bordit të Netflix nga 2018 deri në 2020 dhe u rikthye në vitin 2023 pas një periudhe në administratën e Joe Biden.
“Është marrëveshje biznesi, jo politike”
Në një intervistë për BBC, Sarandos minimizoi ndërhyrjen e presidentit amerikan. “Kjo është një marrëveshje biznesi. Nuk është një marrëveshje politike”, u shpreh ai, duke shtuar se Trump “pëlqen të bëjë shumë gjëra në mediat sociale”. Deklaratat vijnë në një moment kur Netflix ka paraqitur një ofertë prej 83 miliardë dollarësh për të blerë Warner Bros. Discovery, një lëvizje që po sfidohet nga Paramount Skydance, kompania mëmë e CBS, e kontrolluar nga familja Ellison, e njohur për lidhjet e saj miqësore me Trump.
Ndërkohë, Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së po shqyrton marrëveshjen e propozuar nga Netflix, mes shqetësimeve se ajo mund t’i japë kompanisë fuqi të tepruar në tregun e transmetimit. Sipas raportimeve të Bloomberg, Sarandos është takuar me Trump në nëntor, duke i paraqitur atij përfitimet e mundshme financiare të marrëveshjes.
“Po blejmë asete që nuk i kemi sot – një studio filmash dhe një kompani shpërndarjeje. Do t’i shtojmë vlerë tregut”, deklaroi Sarandos për BBC. Ai theksoi se aktualisht kanë mbetur vetëm pesë studio të mëdha në Hollywood dhe se, nëse miratohet një marrëveshje tjetër konkurruese me Paramount, industria do të reduktohej edhe më tej.
Përplasja rreth kësaj marrëveshjeje ka nxitur lobim intensiv në Uashington dhe po konsiderohet si një moment kyç për të ardhmen e industrisë mediatike amerikane.





