I lirë, i prodhuar në masë dhe me një zhurmë që i ngjan asaj të një kositëseje bari, droni që goditi bazën britanike në Qipro udhëton me shpejtësi rreth 185 km/orë. Bazat britanike në Akrotiri u sulmuan edhe sot nga të paktën dy dronë iranianë Shahed, asnjëri prej të cilëve nuk arriti të godasë objektivin.

Ky mjet nuk është veçanërisht i shpejtë dhe as nuk ka një shtrirje jashtëzakonisht të madhe veprimi, por është mjaft efektiv nëse arrin të kalojë mbrojtjen ajrore, gjë që ndodhi gjatë orëve të fundit në Qipro.

Megjithëse sulmi iranian dështoi, ai ishte i mjaftueshëm për të çuar në evakuimin e personelit nga dy bazat britanike në Qipro, edhe pse “Kallashnikovi i Iranit”, siç është cilësuar kjo armë, nuk arriti të godasë ndonjë objektiv.

Sipas të përditshmes britanike “The Telegraph”, Shahed është një mjet ajror pa pilot, i lirë, me përdorim të vetëm, me rreze të gjatë veprimi dhe kosto të ulët prodhimi.

Bëhet fjalë për një dron që lëshohet, fluturon drejt objektivit dhe shpërthen në momentin që e godet, pasi ka kaluar sistemet e mbrojtjes ajrore të vendit ku operon.

Ai konsiderohet ideal për sulme në valë të njëpasnjëshme, që mbajnë vazhdimisht të angazhuar radarët dhe sistemet kundërajrore, ndërsa rrezja maksimale e veprimit mund të arrijë deri në 2,000 kilometra.

Modeli më i njohur është Shahed-136, i cili mund të mbajë një ngarkesë shpërthyese prej 40 kilogramësh. Megjithatë, me modifikime, siç bënë rusët kur i përdorën në luftën me Ukrainën, kapaciteti mund të arrijë deri në 90 kilogramë.

Përveç luftës në Ukrainë, Shahed është përdorur nga Irani në konfliktin me Izraelin, si dhe nga Houthit në Jemen, në disa variante të ndryshme.