Dy futbollistët shqiptarë Jasir Asani dhe Regi Lushkja që aktivizohen në kampionatin iranian të futbollit këto ditë kanë përjetuar nga pranë tmerrin e bombardimeve të SHBA dhe Izraelit në vendin aziatik.
Në një situatë të tillë të gjitha aktivitetet sportive u pezulluan dhe të gjithë lojtarët e huaj u detyruan të largoheshin. Jasir Asani, gjithashtu e la Iranin dhe tani është i sigurt në Turqi. Vetë futbollisti i kombëtares shqiptare që e pohoi në një reagim të orëve të fundit në rrjetet sociale.
“Klubi bëri gjithçka që unë të largohem, por pavarësisht kësaj situate të vështirë, shpresoj që gjërat të qetësohen dhe paqja të rikthehet. Lutem sinqerisht që gjithçka të marrë fund sa më shpejt të jetë e mundur, sepse një vend si Irani me njerëz kaq të mirë që më kanë treguar dashuri dhe respekt meriton të jetojë në paqe”-, shkruante Asani në postimin e tij.
Po kështu mësohet se edhe Regi Lushkja ka mundur të largohet nga Irani për të shkuar në një vend të sigurt. Tani mbetet për të parë se çfarë do të ndodhë dhe nëse do të kthehet Asani apo jo në kampionatin iranian, pasi gjithçka do të varet nga rrjedha e ngjarjeve në Iran por dhe në të gjithë Lindjen e Mesme.





